Lajme

KMDLNJ: Moslejimi i shamisë në shkolla nuk është shkelje e të drejtave të njeriut

Vajza me shami

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar lidhur me debatin për ndryshimin e udhëzimit administrativ që lejon bartjen e shamisë në shkolla.

Sipas KMDLNJ-së, Kosova është shtet sekular ku feja është e ndarë nga shteti andaj mos lejimi i shamisë në shkolla është i rregulluar me ligj dhe s’paraqet shkelje të drejtave të njeriut.

“Ndërkaq, sa i përket bartjes apo moslejimit të vijimit të mësimit për shkak të bartjes së shamisë për nxënëset nën moshën 18 vjeçe, KMDLNj nuk konsideron se paraqet shkelje për faktin se kjo çështje është rregulluar me nenin 3. paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 që ndalon bartjen e uniformave fetare, pa asnjë dallim në shkolla.”, thuhet në komunikatën e tyre.

Tutje, KMDLNj-a ka thënë se ky debat është shndërruar në një fushatë politike, të personave që kanë dhënë premtime politike për ndryshim të kushtetutës dhe tani nuk kanë ndërmarrë asgjë.

KMDLNj

Sipas tyre janë të papranueshme linçimet publike që janë kundër përdorimit të shamisë për nxënëset e moshës jomadhore sepse edhe këto janë shndërruar në fushata politike.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka deklaruar se çdo prind, kujdestar që e detyron një femër të moshës jomadhore të bartë shami paraqet shkelje të drejtave të njeriut.

Madje, KDMLNJ-ka ka bërë apel se kushdo që është i pakënaqur dhe mendon se janë duke iu shkelur të drejtat me udhëzimin administrativ t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Diskutimi për lejimin e vendosjes së shamisë në shkolla filloi pas kërkesave për të ndryshuar Udhëzimin Administrativ.

Kjo nismë u fillua me 2 gusht në rrjete sociale me hashtagun #ndryshojeni_ua_për_shaminë./ Shqip.com