KMDLNj: Kërkesa e ZRRE-së për rritje të çmimit të energjisë rrezikon mbijetesën e qytetarëve

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka theksuar se kërkesa e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë rrezikon mbijetesën e qytetarëve të Kosovës, përcjell Shqip.com.
Përmes një komunikate, KMDLNj thotë se KEDS përveç pasurimit “jonormal” gjatë privatizimit, ka përfituar edhe nga buxheti i Kosovës.
“ZRRE do të duhej të ishte e pavarur në marrje të vendimeve mirëpo , kurrë dhe asnjëherë nuk ka qenë e pavarur dhe nuk është as sot por ka shërbyer si profaturë e vendimeve të qeverive të mëparshme sikur që i shërben edhe qeverisë aktuale”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Tutje, KMDLNj deklaron se ZRRE ka bërë “lojë të ndytë” duke ndarë konsumatorët në baza etnike, për shkak të mospagesës së rrymës në komunat veriore të Kosovës.
“Me vet faktin se ZRRE ka luajtur lojë të ndyrë duke ndarë dhe ndëshkuar konsumatorë në baza etnike tregon përkushtimin t’i shërbejë politikës e cila edhe ka qenë sikur që është edhe sot tutor i të gjitha shkeljeve ligjore që i bënë kjo agjenci e ‘pavarur’ që mbron interesat e KEDS , të gjitha qeverive ndërkaq në mënyrë flagrante shkel interesin e qytetarëve të Kosovës sikur që padënueshëm promovon dhe shkel të drejtat e njeriut duke ndarë konsumatorë në baza etnike, serbët janë të privilegjuar duke mos e paguar as edhe një cent të vetëm për rrymën e shpenzuar kurse konsumatorët tjerë , të të gjitha përkatësive etnike , pagues të rregullt dënohen dhe kërcënohen me ngritje të reja të çmimeve e që janë të papërballueshme”, thuhet tutje.
Po ashtu, ZRRE ka propozuar që rritja e çmimit të jetë e përballueshme dhe e pranueshme për të gjithë qytetarët.
“Rritja duhet të jetë lineare , të vlejë për të gjithë dhe se konsumatori duhet të paguaj aq sa edhe shpenzon duke përjashtuar çdo ndarje diskriminuese në grupe si 600 , 800 , 1000 1500 , 2000 etj. , që paraqet nonsens , sidomos në rrethanat aktuale.
Të gjithë shfrytëzuesit e rrymës , sipas parimit kushtetues duhet të trajtohen të barabartë në të drejtat dhe detyrimet që i kanë pavarësisht përkatësisë etnike , moshës , gjinisë , fesë , bindjeve politike etj.”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Sipas KMDLNj, për të shmangur përshkallëzimin e situatës, duhet arritur pajtueshmëri mes palëve për një çmimin të përballueshëm dhe jodiskriminues.
“Dhe e dyta duhet të informohet opinioni për çmimet reale për faktin se qytetarët po bombardohen me çmime që janë tmerruese! Po bëhet një luftë e ndyrë për qëllime politike me çmimet e reja të rrymës duke e vënë qytetarin në situatë të sikletshme”, njofton tutje Këshilli.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar nga Qeveria për shkak se “Kosova po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘B’”.
Lidhur me këtë, ZRRE ka propozuar rritje të çmimeve për amvisëritë për 9 për qind, teksa Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e një pjese të faturave të energjisë.
Sipas propozimit të ZRRE-së, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E.
Konsumatorët në kategorinë A, nëse gjatë një muaji shpenzojnë 300 kilovatë orë energji elektrike, çmimi aktual është 18.87 euro, dhe propozimi është që ajo të rritet në 29.66 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë, fatura do të mbetet 27.37 euro.
Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.
Konsumatorët në “C” që do të thotë se shpenzojnë 600 kilovatë, çmimi aktual i faturës është 35.86 euro, e që me propozimin e ZRRE-së, fatura rritet në 38.92 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë mbetet 35.86 euro.
Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.
Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro./SHQIP.com