Lajme

Kjo është gjendja e pikave kufitare në Kosovë

Mëngjesi i sotëm në të gjitha pikat kufitare në Kosovë ka qenë kryesisht i qetë.

Duke u bazuar në të dhënat nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm në pikat kufitare tek Dheu i Bardhë, Bërnjak dhe Jarinjë ka pritje deri në 20 minuta gjatë hyrjes në Kosovë.

Megjithatë, daljet në këto pika kufitare janë me pritje deri në 15 minuta.

Po ashtu, vlen të theksohet se në asnjërën prej këtyre pikave nuk ka kolona të automjeteve.

Kufiri te Dheu i Bardhe

Gjatë ditës së djeshme pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nuk kanë qenë funksionale dhe nuk ka pasur qarkullim për shkak se serbët lokal kanë bllokuar rrugët që të qojnë drejt tyre.

Ky barrikadim i rrugëve kishte ardhur si kundërpërgjigje ndaj Qeverisë së Kosovës për vendimet e vendosjes së reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.

Kështu, mërgimtarët janë detyruar të përdorin pika kufitare të tjera për të hyrë në Kosovë.

Vendkalimi kufitar me i ngarkuar ka qenë Dheu i Bardhë, në të cilën pritjet gjatë hyrjes në Kosovë kanë qenë të gjata deri në 90 minuta kurse kolona e automjeteve ka arritur deri në 1000 metra./Shqip.com