KFOR teston forcën e reagimit të shpejtë

Në kohën kur është rritur frika për trazira të reja në veri të vendit, në prag të zgjedhjeve të 23 prillit, forcat e KFOR-it në Kosovë kanë zhvilluar sot një stërvitje në kampin e Novosellës. Stërvitja e quajtur “Shpata e Artë 2023” ka për qëllim testimin e procedurave për dislokim të shpejtë të forcave për përballimin e çdo skenari të mundshëm krize.
“Mëngjesin e sotëm, brenda kampit të Novosellës, njësitet e KFOR-it zhvilluan stërvitjen “Shpata e Artë 2023”, aktivitet ky që synon testimin e procedurave dhe gatishmërinë për dislokim të shpejtë të forcave për përballimin e çdo skenari të mundshëm krize”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
KFOR ka njoftuar se aktiviteti është zhvilluar për të testuar procedurat ndërmjet njësive të ndryshme shumëkombëshe që përbëjnë Forcën e Kosovës, të angazhuara për t’iu përgjigjur skenarëve të ndryshëm të simuluar.
“Përmes këtij lloj trajnimi, KFOR-i mban nivele të larta të gatishmërisë së njësive të tij duke vlerësuar masat e koordinimit të komandantëve të ndryshëm në nivele të ndryshme dhe duke përmirësuar dhe standardizuar procedurat e komandës dhe kontrollit.
Kontigjenti shumëkombësh i KFOR-it vepron në territorin e Kosovës nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 me detyrën e sigurimit të një mjedisi të sigurt dhe të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në fund.



/Shqip.com