Lajme

KFOR për Shqip.com: Të shmangen tensionet

Forcat ushtarake të NATO-s në Kosovë, kanë reaguar pas ngjarjeve të mbrëmshme në Komunën e Zveçanit, ku mbeti i plagosur një polic, pas sulmit me armë të gjata ndaj njësive patrulluese.

Në një përgjigje për Shqip.com, KFOR e thekson nevojën që të shmanget retorika dhe veprimet që mund të rrisin tensionet.

“Është e rëndësishme që të dyja palët të shmangin retorikën dhe veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun politik”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, në përgjigjen e tyre ata e konfirmojnë gatishmërinë për ndërhyrje nëse do të jetë e nevojshme, sipas mandatit të OKB-së.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Ne po monitorojmë nga afër situatën. Ne jemi vigjilentë dhe jemi të gatshëm të ndërhyjmë nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, bëhet e ditur.

Në pyetjen e dërguar, se nëse institucionet e sigurisë në Kosovë, kanë kërkuar rritje të numrit të ushtarëve të KFOR-it, në pjesën veriore të Kosovës, ata nuk kanë preferuar të përgjigjen.

Kujtojmë, se natën e mbrëmshme Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë orës 23:00, një njësit i policisë gjatë patrullimit të rregullt është sulmuar me armë të gjata.

Në njoftim u bë e ditur se vetura prej nga janë sulmuar policët ka qenë e tipit audi dhe me targa KM.

/Shqip.com