Këshilltari i Presidentes paralajmëron denoncim ndaj Dedajt: Me deklaratat e tij kërcënoi atë dhe familjen e saj

Bekim Kupina, këshilltar i Presidentes, Vjosa Osmani, tha se do të denoncojnë ish-ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë Veriore, Gjergj Dedaj, pasi që ky i fundit me deklaratat e tij ka “kërcënuar” atë dhe familjen e saj, përcjell Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, Kupina u shpreh se Dedaj është person i papërgjegjshëm për shkak të mënyrës së emërimit të tij në pozitën e ambasadorit.
“Një person totalisht i papërgjegjshëm që për shkak të interesave meskine dhe prapaskenave të ulëta është katapultuar në pozitën e ambasadorit pa i plotësuar kriteret themelore, manipulon, përvetëson dhe kërcënon kreun e shtetit. Pa asnjë hezitim, ai përdorë deklarimin në një emision live për të bërë kërcënim kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj, për të cilën gjë ai do të denoncohet në organet e rendit.”, ka thënë ai.
Ndryshe, ish-ambasadori kishte deklaruar pasditen e së hënës se është njeri i ligjit, por theksoi se përveç ligjit, ai dhe familja e tij që vjen nga Malësia e Gjakovës, veprojnë edhe përmes Kanunit të Lekë Dukagjinit.
“Unë jam i ligjit, mirëpo na jemi shqiptarë. Nuk mundesh dikë që ja ki inati me e vra. Unë jam i rrezikum, nga Klani i Osmanit, i Vjosës dhe bashkëshorti i saj, nga njerëzit e saj dhe i listës Guxo. Nuk di që duhet me pasë kërcënim tjetër kur ta rrezikon jetën, të len të paftyrë, të hejk prej listës së pagave”, kishte thënë Dedaj në T7./SHQIP.com