Këshilli suprem i Ukrainës: Vizita e Goncharenko nuk ishte zyrtare në Kosovë

Këshilli suprem i Ukrainës(Rada), ka reaguar pas deklaratës së deputetit të opozitës, Oleksiy Goncharenko, i cili në parlamentin e Kosovës tha se Ukraina do ta njohë Kosovën.
Rada tha se kjo ishte vizitë jozyrtare në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, në deklaratën e Radës thuhet se deputeti i popullit nuk mund të përfaqësojë parlamentin ukrainas “në Kosovë apo në ndonjë vend tjetër”.
“Udhëtimi në Kosovë i Oleksiy Goncharenkos është i një natyre thjesht private. Verkhovna Rada e Ukrainës ose ndonjë organ i saj nuk autorizoi një deputet të vetëm të popullit … për të përfaqësuar qëndrimin e parlamentit ukrainas në Kosovë ose në ndonjë vend tjetër. ” tha në një deklaratë shërbimi për shtyp i zyrës së Rada Verkhovna, raporton strana.news.
Shërbimi i shtypit kujtoi se qëndrimi i parlamentit ukrainas për çështjet ndërkombëtare merret kolektivisht, duke votuar në sallën e seancave.
“Delegacionet e përhershme parlamentare në organizatat ndërkombëtare zgjidhen gjithashtu kolektivisht dhe janë ata që përfaqësojnë interesat e Verkhovna Rada të Ukrainës në nivel ndërkombëtar. Një mendim i veçantë i një deputeti popullor të Ukrainës, edhe nëse ai është anëtar i një delegacioni parlamentar … nuk është qëndrim i një organi të vetëm legjislativ të shtetit”, thuhet në deklaratë.
Kujtojmë se në gusht, Goncharenko regjistroi një projekt-rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës .
Ukraina, ndryshe nga shumë vende perëndimore, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
/Shqip.com