Lajme

Këshilli Prokurorial i kundërpërgjigjet Hasanit dhe Rrustemit: Kjo gjuhë i tejkalon të gjitha limitet

Sistemi Prokurorial i Kosovës

Ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës, pas disa deklaratave, që ky institucion është duke vendosur që emrin e Blerim Isufajt ta dërgojnë për dekretim si Kryeprokuror i Shtetit tek presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas Këshillit Prokurorial gjuha që është përdorur së fundmi i “tejkalon të gjitha limitet e një gjuhë institucionale dhe shpërfaqë në mënyrë të qartë tendencat e hapura për rrënimin e sistemit prokurorial”.

“Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), gjatë ditëve të fundit, është duke u atakuar në mënyrën më të ulët nga përfaqësuesit politikë, përfshirë këtu edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, individë që kanë kaluar dhe janë duke kaluar nëpër procedura penale dhe nga grupet e interesit, ku, sipas tyre, Këshilli Prokurorial dhe bartësit e funksioneve prokuroriale janë ‘grup dhe kokë kriminale’”, thuhet në reagim.

KPK përmes një njoftim ka bërë të ditur se nuk do ta tolerojnë përdorimin e kësaj gjuhe ndaj tyre.

“KPK-ja nuk do të tolerojë që të cenohet integriteti dhe reputacioni i anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe i bartësve të funksioneve prokuroriale. Këshilli Prokurorial i Kosovës, si institucion i pavarur kushtetues, ua bënë të qartë të gjithëve, përfshirë edhe përfaqësuesve politikë, se nuk do t’u bindet interesave politike dhe atyre të grupeve të interesit, pavarësisht tendencave të tyre”, thuhet në njoftim.

Me këto deklarata Këshilli Prokurorial i është kundërpërgjigjur ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit dhe deputetit të VV-së, Adnan Rrustemi./Shqip.com