Kërkohet dorëheqja e kryetares së Gjykatës Kushtetueses

Është kërkuar dorëheqja e kryetares së Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka-Nimani.
Kjo kërkesë është bërë nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, për shkak të vendimit për dhënien e pronave Manastirit të Deçanit, me çka thuhet se është krijuar precedent i rrezikshëm.
Në letrën e historianëve thuhet se më 20 maj 2022, bëhen plot 6 vjet që kur Gjykata Kushtetuese, me një panel të gjykatësve vendorë, pa përfshirë gjykatësin Bekim Sejdiu që ishte kundër, dhe të tjerët që kanë abstenuar në votim dhe ndërkombëtarë, merr vendim në formë të aktgjykimit, me anë të se cilit i njeh si vendime legjitime dhe legale në Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ligjet, vendimet dhe aktet nënligjore që ka marrë Serbia për Kosovën gjatë periudhës 1990-1999.
“Gresa Caka-Nimani, duhet të jep dorëheqje nga detyra e saj në krye të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ngase akt gjykimi i kësaj gjykate për pronat në Deçan është precedent i rrezikshëm, dhe Kosovën e ka futur në një rrogë qorre, nga e cili e ka të vështirë të dalë. Gresa Caka-Nimani dhe Arta Rama-Hajrizi, me rastin e marrjes së këtij aktgjykimi para 6 vjetësh, kanë dëshmuar se për to më e rëndësishme është karrigia dhe profesioni i tyre se sa interesi i popullit dhe kombit shqiptar dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë në Kosovë”, thuhet në letër.
Në letrën e tij tutje thuhet se dorëheqja e Gresa Caka-Nimanit është rruga e mirë dhe do t’i bënte nder që të mos të jetë në krye të Gjykatës Kushtetuese.
“Gresa Caka-Nimanin, e ftojmë për deklarim publik të saj dhe të jep përgjigje se pse i ka dhënë përkrahje kësaj marrëzie, e cila kryer e këput e ka bazën në ligjet e Millosheviqit. Ne, e përsërisim qëndrimin tonë së zgjidhja ma e mirë për pronat dhe Ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” është që të kthehen në pasuri (asete) shtetërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.
Historianët e Deçanit edhe një herë bëjnë thirrje që të mos zbatohet aktgjykimi antikushtetues dhe antiligjor për pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”.
“Ne, me gjitha forcat tona, do të kundërshtojmë çdo tentim të zbatimit të vendimit tuaj, ngase në Kosovë nuk mund të zbatohen vendimet e Millosheviqit, vendime këto që i ka luftuar e mbarë bota demokratike, dhe të cilat i ka shpallur null misioni i UNMIK-ut në Kosovë”, përfundon letra./Shqip.com