Lajme

Kërçeli: Ka deputetë që kanë shpenzuar mbi 25 mijë euro për derivate

Ilir Kërçeli

Ilir Kërçeli, i cili është shef i kabineti të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar në lidhje me shpenzimet e deputetëve për derivate.

Duke mos përmendur emra të përveçëm, Kërçeli ka thënë se ka deputetë që kanë shpenzuar mbi 25 mijë euro për derivate e të cilët kanë hequr dorë pas publikimit të listave me shpenzime të karburanteve.

“Ka deputetë të cilët kanë shpenzuar mbi 25,000 euro për derivate, pa dashur paragjykuar se a jetojnë në Prishtinë apo jo, më mirë e dinë qytetarët. Dhe kanë hequr dorë nga këto beneficione tek këto ditë kur është bërë kjo temë”, është shprehur Kërçeli nër Facebook.

Ndërsa, ka drejtuar vërejtje rreth raportimit për shpenzimet e karburanteve. Ai ka kërkuar që llogaritjet të bëhen nga viti 2011 dhe jo vetëm në dy muajt e fundit të vitit të kaluar.

“Këto shpenzime të krijuara për deputetët e Republikës së Kosovës, nuk janë të paraqitura saktë dhe me korrektësi. Në listat e publikuara në publik disa deputetë u paraqiten si kampion të shpenzimeve të derivateve, pa u trajtuar kjo dukuri që nga fillimi i saj prej vitit 2011, por thjesht duke piketuar vetëm disa muaj nga 10 vitet e kaluara. Pra vetëm muajt nëntor dhjetor të vitit 2021”, ka shkruar më tej.

Ilustrim

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët udhëtojnë për të marrë pjesë në seancat dhe komisionet funksionale në Prishtinë kompensohen me mjete financiare për shpenzimet e karburantit.

Mirëpo, praktika e tillë e kompensimit po kritikohet nga qytetarët të cilët e shohin të paarsyeshme marrjen e këtyre kompensimeve ngase “deputetët kanë paga të larta”.

Vendimi mbi kompensimin e deputetëve daton nga 10 tetori 2011 dhe parashihet që të kompensohen deputetët të cilët marrin pjesë në punimet e seancës dhe komisionet e caktuara ku deri në 30 kilometra udhëtim kompensohen me 10 euro, pastaj deri në 60 kilometra me 20 euro si dhe mbi 60 kilometra me 30 euro./Shqip.com