KEK-u për dy vjet lidhi 98 kontrata të negociushme duke e shkelur konkurrencën

Korporata Energjetike e Kosovës për dy vite me radhë që nga 2018-ta e deri me 2020 lidhi 98 kontrata të negociushme me vlerë prej 377 mijë e 140 euro duke shkelur kështu konkurrencën.
Kjo është bërë e ditur në bazë të raportit të auditimit për Korporatën Energjetike të Kosovës.
Gjithashtu KEK-u kishte negociuar me 46 kontrata me Operator Ekonomik, çmimi i të cilave fillonte prej 2,000 euro deri në 8,400 euro në vit.
Por që KEK-u nuk kishte kërkuar nga asnjëri OE që të sillte çfarëdo dëshmie lidhur me numrin dhe llojin e audiencës (shikuesve, lexuesve), pra kapaciteti i secilit OE në drejtim të realizimit të objektivave të synuara të KEK-ut ishte i panjohur.
”KEK-u kishte lidhur këso kontrata vit pas viti duke shpenzuar mesatarisht 162 mijë euro në vit, pa e matur asnjëherë efektin e këtyre kontratave. KEK-u nuk ishte efikas në menaxhimin e kontratës për riparimin e stacionit veprues. Kontrata është zbatuar me 10 muaj vonesë.” thuhet në raport.
Disa aktivitete të prokurimit kishin rezultuar jo efektive për shkak të qasjes jo të duhur e prokurimit.
Së paku 81 mijë euro janë të bllokuara në stoqe me afat të skaduar të garancisë, (periudhë garantuese 12 mujore).
Po ashtu në raport thuhet se duke u bazuar në analizën e katër kontratave për blerje të kushinetave, rezulton se rreth gjysmës së kushinetave të blera iu skadon afati i garancisë ndërsa janë ende në depo, sepse nuk hyjnë në përdorim as 12 muaj pas blerjes.
Kjo mund të paraqesë problem sidomos nëse kushinetat e blera janë me defekte.
Po ashtu në këtë raport janë parapara edhe rekomandimet.
Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu