KEK-u: Njësia A5 e termocentralit Kosova A është jashtë funksionit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se njësia A5 e termocentralit Kosova A është jashtë funksionit.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli.
Ai ka thënë se pas remontit kapital, kjo njësi ka operuar nga 6 maji, por në fazë testuese.
Bucolli ka thënë se njësia A5 pritet të kthehet në operim së shpejti.
“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se njësia A5 pas remontit kapital ka hyrë në operim me datë: 06.05.2023 dhe ka qenë në fazë testuese. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar të gjitha vërejtjet të cilat jemi në fazën e eliminimit dhe njësia pritet të kthehet në operim së shpejti. Për më tepër, pas remonteve kapitale janë të planifikuara-nevojshme ndaljet për eliminimin e vërejtjeve për operim të sigurt të njësisë përkatëse”, ka thënë ai.
Ndërkaq më herët deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se blloku A5 është jashtë funksionit.
Ajo e ka kritikuar Qeverinë se po i vendosë “në koma” ndërmarrjet publike.
/Shqip.com