Ekonomi

KEK-u gjatë vitit 2022 ka eksportuar rrymë në vlerë prej 117,4 milionë €

KEK-u
KEK-u

Sipas të dhënave zyrtare të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) gjatë vitit të kaluar (në periudhën janar-dhjetor 2022), janë eksportuar gjithsej 580 gigavatë-orë (një gigavat barazi me 1 mijë megavatë).

Nga ky eksport i rrymës, KEK-u ka arkëtuar saktësisht 117,4 milionë euro, respektivisht mesatarisht një megavat është eksportuar me çmimin 202, 16 euro. Ndërsa, sipas të dhënave të KEK-ut, gjatë vitit 2021 janë eksportuar 747, 8 gigavatë-orë, që është një sasi goxha më e madhe se në vitin 2022, por realizimi financiar nga eksporti më 2021 është thuaja përgjysmë më pak se në vitin e kaluar.

Në vitin 2021, nga eksporti i energjisë elektrike KEK-u ka realizuar gjithsej 58, 01 milionë euro, ndërsa shkaku është kryekëput te çmimet shumë më të ulëta se më 2022 në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Mesatarisht, më 2021 KEK-u ka shitur një megavat me çmimin 77,57 euro. Sipas KEK-ut, operatorët ekonomikë energjinë e eksportuar e kanë marrë në tre kufijtë energjetik- me Shqipërinë, Malin e Zi dhe me Maqedoninë e Veriut. Eksporti është realizuar gjithnjë kur ka pasur teprica të rrymës, për të cilat konsumi vendor nuk kishte nevojë, dhe gjithmonë thuaja se në orët e natës, raporton Buletini Ekonomik.

Sipas zyrtarëve të KEK-ut, që eksportin krahas prodhimit standard për nevojat e vendit e vlerësojnë si sukses, këto rezultate janë arritur në saje të remonteve të rregullta vjetore të njësive prodhuese të Korporatës.

Remontet e planifikuara dhe të përfunduara në prag të sezonit dimëror kanë ‘freskuar’ shumë katër blloqet e termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2) dhe Kosova A (A3 dhe A4), të cilët vjet kanë qenë në prodhim dhe që në vazhdimësi gjatë tërë vitit kanë prodhuar pa shumë defekte teknike dhe pa ndërprerje të gjata të prodhimit.

Siç dihet, KEK-u në vitin e kaluar deri në shkurt të këtij viti, në Shqipëri kishte depozituar 220 mijë megavatë-orë energji elektrike, të cilën pastaj KESH-i ia ka kthyer gjatë sezonit dimëror, kur konsumi i Kosovës kishte më shumë nevojë për rrymë. KESH-i gjatë sezonit të dimrit, deri në fund të muajit shkurt, ka kthyer tërë borxhin dhe ka depozituar në KEK rreth 34 mijë megavatë-orë.

/Shqip.com