Katër kryetarë komunash marrin zyrtarisht mandatin

Disa ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, kryetarët e komunave tashmë kanë nisur të marrin zyrtarisht mandatin katërvjeçar për të udhëhequr me komunën në të cilën kanë dalë fitues.
Bedri Hamza mëngjesin e kësaj të premte ka marrë zyrtarisht detyrën e të parit të Komunës së Mitrovicës.
Detyrën ia ka dorëzuar Agim Bahtiri, i cili ishte për dy mandate në krye të kësaj komune.

Edhe në Lipjan, të premten Imri Ahmeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka dhënë betimin për herë të tretë si Kryetar i kësaj komune.
Në një postim në Facebook, Ahmeti ka shkruar se “Lipjani ‘Shtëpi e madhe’ është synim i përhershëm i yni”.
“Prandaj do të vazhdojmë të kultivojmë lehtësirat e të bërit biznes duke krijuar mundësi dhe ambient për punë e jetë të qetë për të gjithë”.

Ndërsa, në Komunën e Hanit të Elezit, detyrën e të parit të komunës të premten e ka marrë Mehmet Ballazhi.
Lajmin e ka bërë të ditur komuna, përmes një njoftimi në Facebook.
“Momente nga akti i pranim dorëzimit të detyrës Kryetar i Komunës së Hanit të Elezit ndërmjet Rufki Suma dhe Kryetarit të zgjedhur Mehmet Ballazhi”.
“Me këtë rast Rufki Suma i uroi për detyrën e re dhe, njoftoi Ballazhin me gjendjen aktuale në komunën e Hanit të Elezit, projektet e realizuar si dhe projektet të cilat janë në vazhdimësi”.

Në komunën e Malishevës të enjten është bërë pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit në këtë komunë.
Ekrem Kastrati, kryetari i Komunës së Malishevës është pritur nga kryetari i deritashëm i kësaj komune, Ragip Begaj.
“Jam i lumtur që ua dorëzojë detyrën juve dhe ju uroj shumë suksese në punë, uroj të keni rezultate, të punoni me urtësi e pa arrogancë, sepse kjo iu duhet qytetarëve”, ka thënë Begaj gjatë fjalimit përshëndetës me kryetarin e ri./SHQIP.com
