Katër ankesa në shtator për rritjen e çmimeve, fajtor varësia nga importi

Ndonëse çmimet në tregun vendor kanë shënuar rritje, numri i ankesave të konsumatorëve drejtuar Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është tejet i ulët.
Sipas kësaj ministrie nga janari deri në shtator janë paraqitur vetëm 19 ankesa, derisa nga shtatori e deri tash kur janë rritur çmimet janë jo më shumë se katër ankesa nga konsumatorët.
Kështu ka bërë të ditur Zef Dedaj, zv.udhëheqësi i Departamentit të Tregtisë në MINT, gjatë tryezës së diskutimit “Ngritja e çmimeve në treg dhe mbrojtja e konsumatorit”, të organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).
Sipas Dedajt, rritja e çmimeve vjen direkt si pasojë e importimit nga vendet e tjera.
“Jemi të informuar të gjithë se kjo rritje nuk ka ardhur nga Kosova, por po importojmë inflacionin nga vendet ndërkombëtare, e rrjedhimisht nëse importojmë produkte industriale po importojmë rritje të çmimeve”, është shprehur ai.

Ndërsa, Dardan Abazi – hulumtues i lartë në INDEP, ka pohuar se “ngritja e çmimeve të jashtëzakonshme të rrymës dhe e produkteve të tjera bazike ka vështirësuar jetën e qytetarëve, për të cilët shteti ende nuk ka bërë sa duhet për mbrojtjen e tyre”.
Siç ka thënë Abazi, ankesat e konsumatorëve janë të shumta për rritje të çmimeve të pa paralajmëruara nga tregtarët, edhe në disa raste, sipas tij, ka edhe dyshime për shtrenjtim me marrëveshje.
Në anën tjetër Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se çështja e trajtimit të konsumatorëve do të duhej të ishte në fokus jo vetëm tash që ka ngritje të çmimeve të produkteve.
“Çështja e trajtimit të konsumatorëve në vendet e jashtme janë tema permanente dhe që përcjellën me politika më të mira. Kjo temë po ndikohet tash vetëm nga ngritja e çmimeve, por që duhet të ketë rëndësi më shumë”, ka thënë Rukiqi.
Sipas tij , inflacioni ka edhe kundër efekt sepse duhet të stabilizohen çmimet./SHQIP.com