Karantinë për personat me COVID-19, për më pak se një muaj u regjistruan afër 10 mijë raste të reja

Për më pak se një muaj janë konfirmuar afër 10 mijë raste të reja me Coronavirus në Kosovë.
Pas një kohe shumë të gjatë, më 29 qershor u konfirmuan 177 raste të reja me COVID-19, shifër kjo që bëri të kuptojmë që virusi nuk ishte “zhdukur”.
Gjatë kësaj periudhe e deri më 19 korrik janë konfirmuar gjithsej 9 mijë e 410 raste pozitive me COVID-19.
Bëhet fjalë për nënvariantin e virusit të tipit Omicron me simptomat tashmë të njohura “djegie e fytit, dhimbje e muskulaturës, temperaturë, ethe dhe plogështi”.
Por, a vlenë ende masa e karantinimit për rastet pozitive me COVID-19?
Zëdhënësja për media e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Era Pireva tha për Shqip.com se personat e infektuar duhet të karantinohen.
“Personat që rezultojnë pozitiv me COVID-19 duhet të karantinohen për 10 ditë”- tha ajo.
Sipas rekomandimeve nga IKSHPK-ja, karantinimi mund të shkurtohet në 7 ditë në rast se rezultoni negativ dy herë me test PCR apo test të shpejtë.
“Testi për COVID-19 duhet të kryhet në ditën e 6-të apo të 7-të të izolimit, me dallim prej 24 orësh ndërmjet testeve”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.
Në 24 orët e fundit sipas të dhënave nga MSH-ja, ka vdekur një person dhe janë konfirmuar 842 raste të reja me COVID-19.
Duke u bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, në Kosovë janë 6.418 raste aktive.
Ndërkaq, nga ky Institut janë shtuar thirrjet për bartjen e maskave në ambiente të mbyllura, si dhe për vaksinim.

“Pandemia nuk ka përfunduar”, kujton IKSHPK-ja përmes një postimi në Facebook.
Në anën tjetër, MSH-ja bën të ditur se ka mjaftueshëm vaksina dhe se vaksinimi mund të bëhet në çdo komunë të Kosovës.
Më 14 korrik, MSH-ja ka miratuar dhënien e vaksinës kundër COVID-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç.
Ndërsa, grupmosha 60+ vjeç mund të vaksinohen me dozën e katërt me kusht që të kenë kaluar së paku 4 muaj nga marrja e dozës së tretë kurse grupmosha 12+ vjeç mund të vaksinohen me dozën e parë, të dytë dhe të tretë.
Nga 14 korriku, Bashkimi Evropian ka pranuar certifikatat e vaksinimit dhe të testimit të lëshura nga institucionet e Kosovës për COVID-19.
Rastet e para me COVID-19, në Kosovë janë konfirmuar më 13 mars të vitit 2020./Shqip.com