OP-ED Analiza

Kapitullim për dy

Grigels Muçollari
Grigels Muçollari

Publikuar:

Kronikat e ditës me ritme shumë të larta dhe haluçinante po krijojnë një atmosferë gjithmonë e më mbytëse ku njerëzit nuk kanë kohë të kapërdijnë një zhvillim, ta tresin e të rehatohen, pasi tjetri është menjëherë pas dere. Në këto kushte gjithnjë e më pak po shihet përtej mjegullës, se çfarë po ndodh pas ngjarjeve të momentit.

Megjithatë nuk do shumë mund për të kuptuar se Shqipëria po kalon një nga momentet më sfiduese të saj. Eshtë bërë e qartë tashmë dhe e pranuar gjërësisht, se korrupsioni dhe lidhjet e krimit me politikën në këto 11 vite janë mali i thepisur që duhet të kalojmë për të gjetur shtegun normal, atë rrugë që ndjekin vendet europiane e që duan të bëhen pjesë e familjes së BE.

Njohja dhe pranimi i problemit, mbetet një arritje. Korrupsioni dhe lidhjet e krimit me politikën për shkak të përmasave monstruoze u bënë të pambulueshme nga propaganda dhe marifetet e qeverisë. Ato janë tani këtu, hapur, në mes të tavolinës ku e shohin të gjithë.

Aferat brutale si ato të inceneratorëve, të rrugëve, dhe vjedhjet pa cak e me babëzi në Bashkinë e Tiranës, përfshirja në banda e familje mafioze si shërbëtorë e shumë drejtuesve të policisë, raportet elektorale e implikimi në zgjedhje i më famëkeqëve, kanë tronditur rëndë ndërgjegjen e publikut dhe besimin tek politika, tek përfaqësuesit, tek institucionet.

Dy njerëz mbi gjithë të tjerët kanë dalë në krye të skenës këto kohë, si personazhet ku më së shumti lidhen këto fije, ku përfaqësohen këto fenomene. Ata janë Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Nuk dihet mirë se çfarë drejtësia po bën me ta. Shefit të madh gjysmën e bashkëpunëtorëve ja kanë arrestuar, pjesën tjetër e thërrasin herë pas here në SPAK. Mëtonjësi për pasardhës, është në të njëjtat kushte, ndërsa edhe direkt ndaj tij besohet se ka nisur një hetim.

Edhe pse duket ditë e vështirë për vendin, prej kutërbimit nga dalja në rrugë e kaq shumë zullumeve, prej zbulimit të shumë të vërtetave të korrupsionit dhe lidhjes që pushtetit me krimin, sërish, një moment i mirë, i artë është në sfond, që të mund ta kthejë të gjithën këtë në favor.

Që është drejtësia bruto, e plotë, shterruese, pa limite.

Një drejtësi e tillë jo vetëm do të ishte dëmshpërblim për dëmet që i janë bërë vendit dhe njerëzve, por po ashtu do të ishte transplanti jetik në shtatin e rrëgjuar të një republike me kaq shumë lëngime tranzicioni.

E po ashtu, një vaksinë e sigurtë që do ta mbronte këtë organizëm nga fenomene të tilla në të ardhmen. Pra hiç më pak, se sa transformimi i Shqipërisë në një rend europian, perëndimor.

Edhe pse krejt e mundur, kjo instancë, ky stacion vjen në sytë e njerëzve si utopik. Ka shumë skepticizëm. Disa zhvillime të deritanishme e kanë ushqyer këtë dyshim me të drejtë. SPAK është treguar tendencioz dhe i pamërshirshëm ndaj liderëve të Opozitës, atyre që s’kanë pushtet, dhe i butë, tolerant, mirëkuptues me liderët e shumicës në pushtet.

Kjo e bën ëndrrën për drejtësi, të duket e largët dhe fluturake. Krahas kësaj, ekziston një rrezik edhe më i madh. Ne e dimë se e keqja nuk ka fund. Po sikur, pas gjithë këtyre skandaleve, organi nga ku pritet drejtësi, të lërë pa prekur, pa dërguar para ligjit, dy personazhet që janë njësuar me fenomenet?

Atëherë do të ishim hiç më pak se përpara një skene të njohur horrori. Frankenshtajni do të ngjante me një karikaturë në krahasim me përbindëshat që do të prodhonte ky skenar.

Vendi me korrupsionin më të madh në Europë, me lidhjet më kriminale të qeverisë me bandat e familjet mafioze, vendi ku rrihet për vdekje avokati i liderit të opozitës në mes të ditës pranë kopështit të fëmijëve po duket sikur po le pa ndëshkuar përgjegjësit e vërtetë, bosat realë.

Unë uroj shumë që kjo mos vazhdojë të ndodhë, sepse do të ishte kapitullimi i Shqipërisë, rrëshqitja në një kurs që nuk ka asnjë lidhje me Europën e aspiratën tonë si komb.

Kjo do të duhet të ishte detyrë më së pari e drejtësisë sot, të mos e lejojë një theqafje të tillë. Ndaj është me aq shumë pushtet, e është investuar aq shumë aty, pikërisht për të bërë këtë korigjim të devijancave që shkaktojnë korrupsioni dhe krimi.

Do të ishte e pafalshme që drejtësia të mos e kryente përgjegjësinë që ka dhe për të ruajtur privilegjet, karrierën, të ardhmen e interesat e dy njerëzve, dy individëve, ta hidhte vendin në greminë. Zgjidhja tjetër, që vjen nga populli ka gjithnjë kosto të mëdha, por mesa duket është e vetmja shpresë për të ruajtur aspiratën e kahershme tonën për të qënë qytetarë të lirë në Bashkimin Europian.

/Shqip.com