Kapet në flagrancë zyrtari i ministrisë duke pranuar ryshfet mijëra euro, policia jep detaje

Zyrtari i një ministrie në Kosovë është kapur në flagrancë pasi dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar ryshfet një shumë të të hollave prej mijëra eurosh, shkruan Shqip.com.
Siç njofton policia, zyrtari kishte pranuar të marrë mijëra euro nga dy biznese aplikuese dhe përfituese të subvencioneve të ndara nga ministria në të cilën punion.
“Është realizuar një operacion me ç ‘rast është arrestuar në flagrancë një person mashkull kosovar, i cili dyshohet se me pozitën që kishte në kuadër të një Ministrie të RKS-së, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet shumën e të hollave prej mijëra eurosh, nga dy biznese aplikuese dhe përfituese të subvencioneve të ndara nga Ministria përkatëse”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit i njëjti ndalohet për 48 orë.
Policia e Kosovës, së fundmi ka realizuar disa aksione në ministri të ndryshme në të cilat dyshohet se zyrtarët e ministrive përkatëse kanë kryer vepra kundër ligjit.
Më 6 janar, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ishin arrestuar disa zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti, ndërsa pesë qytetarë tjerë dyshohen për dhënie të ryshfetit./Shqip.com