Lajme

Kamberi kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në Luginën e Preshevës

Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës i përbërë nga Partia Për Veprim Demokratik është duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në Luginën e Preshevës për shkak se ata konsiderojnë se Qeveria e Serbisë në mënyrë të paligjshme ka shlyer nga listat zgjedhore shumë qytetarë.

Ish-deputeti Shaip Kamberi ka deklaruar se ata kanë marr vetëm 9 mijë e 644 vota në këto zgjedhje parlamentare. Thotë se këto zgjedhje u karakterizuan me numër të ulët të votuesve shqiptarë.

“Zgjedhjet e fundit në Serbi të datës 3 prill u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve shqiptarë. Pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve që rezultoi me shlyerjen e tyre nga listat zgjedhore deligjitimoi procesin zgjedhor, sidomos në Luginën e Preshevës. Shumë shqiptarëve i është pamundësuar e drejta elementare. E drejta për të votuar. Kjo e bën procesin zgjedhor jodemokratik. Zgjedhjet jo të lira. Prandaj zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar te të Luginës së Preshevës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se rezultatet nuk janë duke garantuar që shqiptarët do të kenë një ulëse në Parlamentin e Serbisë. /Shqip.com