Kalon Projektligji për Zyrtarët Publik

Ka kaluar në Kuvend, Projektligji për Zyrtarët Publik me të gjitha amendamentet e miratuara.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se ky projektligj ka kaluar me 58 vota për, katër abstenime dhe asnjë kundër.
Lidhur më këtë projektligji, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se vendimmarrja për 1600 pozita varret nga Qeverisë.
“Me miratimin e këtij ligji, secili drejtor që e ka mandatin e tij të tretë-katër është në presion se a do ti vazhdohet kontrata, është goditje për sistemin, ky ligj ka me ju vendos në pozitë të keqe juve, sot jeni ju ndërsa nesër do të jemi ne. Në momentin kur votoni e keni varros sistemin meritokratik” ka thënë Tahiri.
Tahiri po ashtu ka thënë se atë ditë kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkim Evropian, është votuar një ligj që do të pengojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkim Evropian.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se ky projektligj e cenon administratën publike.
“Ne konsiderojmë se ky projektligj e cenon punën e administratës publike, e dëmton jashtëzakonisht shumë, për këtë kemi marrë vërejte edhe nga ana e Bashkimit Evropian. Ky ligj do ta dëmtojë punën e shërbimit civil. Sot po i hapni konkursi dhe po emëroni njerëz që ju bëjnë juve argatin” ka thënë Tahiri.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që ta largojë këtë projektligj dhe të mos votohet në lexim të dytë.
Kurse, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se në bazë të këtij ligji, për të konkuruar në administratë publike janë vendosur kritere që gjinden vetëm në vendet komuniste.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Selmanaj tha se edhe nëse dikush do i plotësonte kriteret sa i përket profesionit, ato mund të rrënohen në bazë të dy kritereve që sipas tij janë të paarsyeshme.
“Keni vendosur kritere që vetëm në sistemet komuniste i kemi parë. Qëndrueshmëria dhe përshtatshmëria e një kandidati për të marrë funksionin në administratën publike në Kosovë. Edhe nëse dikush do t’i plotësonte të gjitha kriteret e konkursit, përgatitjen shkollore, profesionale, stazhin e punës në fund mbikëqyrësi ka të drejtë që në bazë të qëndrueshmërisë dhe përshtatshmërisë t’i rrënojë të gjitha kriteret tjera të konkursit. Nëse këto arrini t’i gjeni vetëm në një vend demokratik, do ta pranonim edhe ne”, tha Selmanaj.
Selmanaj tha se Qeveria e Kosovës po mundohet ta shkatërroj një sistem që është ndërtuar për 20 vite.
Mes kritikash nga opozita, Komisioni për Administratë Publike kishte miratuar në parim Projektligjin për zyrtarët publik.
Në seancën e fundit lidhur me këtë çështje, me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ishte miratuar në lexim të parë projektligji për pagat në sektorin publik.
Pozitë e opozitë kanë qenë pro projektligjit, megjithatë, partitë opozitare kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në mes dy leximeve. Të njëjtit kanë pasur kritika për rangimet dhe përcaktimet e koeficienteve.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, kishte thënë se me këto dy projektligje synojnë rregullimin e Administratës Shtetërore.
Më tutje Dobra ka thënë se vlera e koeficientit do të caktohet në bazë të buxhetit të vitit 2023.
/Shqip.com