Kadri Veseli e padit për shpifje deputetin e Vetëvendosjes, Visar Korenicën
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka paditur për shpifje deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenicën.
Kjo është bërë e ditur nga përfaqësuesi ligjor i Veselit, Faton Fetahu përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Si përfaqësues ligjor i ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, kam dorëzuar këto ditë padi për shpifje kundër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica. I njëjti, në muajin mars të këtij viti, konsumoi një shpifje të pashembullt ndaj z. Veseli, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të vlerësuar rrethanat e dështimit të një projekti në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës. Deputeti Korenica këtë deklaratë e kishte dhënë për portalin “Indeksonline” dhe artikulli ishte publikuar me titull: “ATK-ja ‘akshom Pazar’ me pozita, avancohen punëtorët që dëmtuan buxhetin”, shkroi Fetahu.
Ai tha se i kanë kërkuar deputeti Korenica që të tërheqë deklaratën mirëpo sipas tij, ai e ka injoruar këtë kërkesë.
“Pas deklaratës publike me përmbajte shpifëse ndaj z. Veseli, sipas ligjit në fuqi, deputetit i kërkuam përmirësimin e shprehjes shpifëse, përkatësisht tërheqjen nga deklarata. Kaluan gjashtë javë dhe deputeti e injoroi kërkesën duke e zgjedhur heshtjen. Pra, ai e artikuloi këtë shpifje, u sigurua ta publikonte dhe ta shpërndante në medie një deklaratë të tillë të pavërtetë, por nuk e provoi asnjëherë me asnjë fakt të vetëm. Në këto rrethana, rruga gjyqësore mbeti e paalternativë”, tha ai.
Fetahu uron që gjykata ta trajtojë me efektivitet këtë rast dhe të mos parashkruhet lënda si në një rast tjetër kur klienti i tij ishte kërcënuar me jetë.
“Si rezultat, në cilësi të avokatit të z. Kadri Veseli, kam depozituar padinë për shpifje kundër këtij deputeti, i cili në cilësinë e të paditurit do të ketë barrën e provave për të dëshmuar vërtetësinë e deklaratës së tij. Uroj dhe shpresoj që gjykata do ta trajtojë me efektivitet këtë rast gjyqësor duke e konstatuar shpifjen e z. Korenica dhe të njëjtin do ta mbajë përgjegjës për dëmet e shkaktuara, dhe në asnjë mënyrë të parashkruhet lënda, si në të kaluarën në një rast kërcënimi me jetë ndaj zotit Veseli”, tha ai.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar ta marrë një qëndrim nga deputeti Korenica lidhur me këtë padi, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.
/Shqip.com