Lajme

Jep dorëheqje komandanti i FSK-së

Gjenerallejtënant Rrahman Rama

Gjenerallejtënant Rrahman Rama ka dhënë dorëheqje nga posti i komandantit të Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Burime të Shqip.com brenda Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur se, Rama e ka nënshkruar dorëheqjen mëngjesin e të martës.

Ai pritet që gjatë ditës të dalë në konferencë për media për të njoftuar largimin e tij para kohe nga pozita e udhëheqësit të Ushtrisë së Kosovës.

Gazeta Shqip.com ka provuar disa herë të kontaktojë me gjenerallejtënant Ramën, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Ndërsa, Flamur Arifaj, zyrtar i lartë i kabinetit të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, ndonëse nuk ka mohuar dorëheqjen, ka thënë se ende nuk kanë informacion zyrtar.

“Nuk mund të japë një përgjigje pasi nuk kemi informacion zyrtar ende. Për çdo gjë do të njoftoheni gjatë ditës”, ka thënë Arifaj për Shqip.com.

Rrahman Rama u emërua komandant i ri i Forcës së Sigurisë së Kosovës në vitin 2015 me Dekret Presidencial të lëshuar nga presidentja e asaj kohe, Atifete Jahjaga./SHQIP.com