Lajme

Java e Krenarisë sot nis në Kosovë

"Parada e Krenarisë" në Prishtinë

Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, të hënën prej orës 18:00 nis Java e Krenarisë, në mbështetje të komunitetit LGBT.

Brenda ekzekutivit ekziston edhe Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut si dhe Mundësi të Barabarta e Kundër Diskriminimit ku dhe do të fillojë kjo ngjarje.

Ky organizim do të zhvillohet nën moton “Edhe n’shtet, edhe n’familje” ku ka për qëllim mbështetjen dhe promovimin e diversitetit dhe barazisë për komunitetin LGBTI në Republikën e Kosovës.

“Jeni të ftuar të merrni pjesë në ceremoninë e hapjes së –Java e Krenarisë/Paradës së Krenarisë, me moton “Edhe n’shtet, edhe n’familje . Ceremonia do të mbahet më 06 Qershor 2022, në Ndërtesën e  Qeverisë së Kosovës, Salla P 38, duke filluar nga ora 18:00-19:00” , thuhet në njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit.

Fjalim do të mbajë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Pos figurave politike në Kosovë, të pranishëm do të jenë dhe Jeffrey M. Hovenier, Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Tomas Szunyog, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Tea Blakaj Hoxha, Këshilltare e jashtme ligjore e kryeministrit.

LGBTIQ

Më 16 mars të këtij viti kishte dështuar votimi i “Kodit Civi”, në Kuvendin e Kosovës.

Një pjesë e deputetëve të partisë në Lëvizjen Vetëvendosje ishin kundër projektligjit për shkak se përfshinte nenin që lejonte anëtarët e komunitetit LGBT të lidhin bashkësi familjare.

Pos tyre, as partitë opozitare nuk morën pjesë në votim. Projektligji për Kodin Civil do të rikthehet në Kuvendin e Kosovës për votim./Shqip.com