Jashari për arkivat: Nuk lejojmë ta humbim Kosovën në tavolinë

Anëtari i familjes Jashari, dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, deklaroi të enjten se Kosova nuk ka arkiva për të hapur.
Sipas tij, një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm Serbia, “e cila për një shekull ka qenë agresor ndaj popullit shqiptar”.
Ai u ka bërë thirrje liderëve kosovarë, por edhe bashkësisë ndërkombëtare që të jenë të kujdesshëm.
Tha se nuk do lejojnë që “Kosovën ta humbim në tavolinë derisa e fituan të parët tanë me luftë”.
“Unë nuk jam që diçka të fshihet, sepse nuk kemi çka fshehim. Ne kemi qenë viktima ata kanë qenë agresori, ata kanë ushtruar dhunë mbi ne një shekull të tërë. Unë jam që gjithçka të dalë në pah, por që ata janë të cilët kanë fshehur dhe janë duke fshehur, pra Serbia, sepse neve nuk kemi çka. Krejt çka kemi këto varre, këto gërmadha që na kanë mbetur”, u shpreh ai.
Djali i heroit, Hamëz Jashari kërkoi që ndërkombëtarë ta rrisin presionin ndaj Serbisë që t’i hap arkivat e saj, me qëllim që të dihet fati i familjarëve të zhdukur.
Ndryshe, javën e kaluar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se në takimin trepalësh me Serbinë dhe Bashkimin Evropian, janë dakorduar që t’i hapin arkivat shtetërore lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Një deklaratë e tillë ka ngjallur reagime të shumta. Opozita ka kritikuar Qeverinë se “po e barazon UÇK-në me Serbinë”. Ndërsa, drejtues të Arkivit kanë mohuar se brenda institucionit shtetëror ka dokumente sekrete rreth UÇK-së./SHQIP.com