Lajme

Jakup Krasniqit i vazhdohet paraburgimi

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënësi i UÇK-së
Jakup Krasniqi, ish-zëdhënësi i UÇK-së

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, me 19 shtator, ka marrë vendim, me anë të së cilit ia ka vazhduar masën e paraburgimit Jakup Krasniqit, i cili po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai ka konkluduar se vazhdon të ekzistoj rreziku që Krasniqi të arratiset, pengojë procedurat e kryej krime të tjera.

“Gjyqtari i procedurës paraprake konkludon se ekziston një rrezik i moderuar që z. Krasniqi të arratiset, dhe se ekziston rreziku që z. Krasniqi  të pengojë progresin e procedurës, ose të kryejë vepra të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët. të cilët kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ose duhet të paraqiten para DhSK-së”, thuhet në vendim, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm.

Aktakuza ndaj Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./Shqip.com