Lajme

Ja kush është kryetari i ri i Partisë Demokratike pas dorëheqjes së Bashës

Partia Demokratike

Partia Demokratike në Shqipëri do të udhëhiqet nga Enkelejd Alibeaj, i cili deri tani ishte nënkryetar i kësaj partie.

Këtë vendim e ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi përmes një njoftimi zyrtar.

“Në mbështetje të Statutit të Partisë dhe për të mos krijuar asnjë vakuum në drejtimin e Partisë në këtë moment të vështirë dhe specifik, kam konsultuar të dy Nënkryetarët me qëllim paraqitjen për zgjedhjen menjëherë nga Këshilli Kombëtar të komandimit të njërit prej tyre për drejtimin e Partisë”, thuhet në komunikatën e Bardhit.

Bardhi ka bërë të ditur se gjatë takimi ka marrë njoftimin se nënkryetarja Tabaku se heq dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë.

Për pasojë, në përputhje me nenit 46 të Statutit, drejtimi i partisë në këtë periudhë tranzitore, deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë, do të behet nga Nënkryetari i Partisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar  Enkelejd Alibeaj”, ka shkruar Bardhi.

Alibeja ka marrë në drejtim partinë pas dorëheqjes së Lulzim Bashës dhe i njëjti do të jetë kryetari i ri i Partisë Demokratike deri në zgjedhjet e reja.

Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Basha të hënën në mbledhjen e përbashkët të kryesisë, grupit parlamentar dhe kolegjit të kryetarëve të PD-së, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje për shkak të krizës që po përjeton Partia Demokratike.

Duke e cilësuar si vendimin më të vështirë politik, ai thotë se ka vendosur të hedh një hap pas duke u tërhequr nga detyra e kryetarit të PD-së, me qëllim për të ndihmuar ringritjen e demokratëve dhe Partisë Demokratike./Shqip.com