Lajme Botë

Izraeli nis sulmet ndaj Libanit dhe Rripit Gaza

Pamje nga sulmet e mbrëmshme / Foto: Reuters

Izraeli nisi sulmet në Libanin jugor sot herët në mëngjes, teksa vazhdonte të godiste objektivat në Rripin e Gazës, tha ushtria izraelite.

Sulmet erdhën pasi militantët nga Libani qëlluan rreth tre duzina raketa mbi Izraelin të enjten.

Për më tepër, raketat u hodhën nga Gaza në drejtim të Izraelit jugor të premten herët në mëngjes, pas sulmeve izraelite atje.

Përleshjet janë përshkallëzuar këtë javë, pas bastisjeve të policisë izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Jerusalem.

Me muajin e shenjtë të Ramazanit dhe festën njëjavore hebraike të Pashkës që përkon sërish këtë vit, sulmet ndërkufitare kanë ardhur në një kohë delikate.

Kompleksi i xhamisë, i cili është vendi i tretë më i shenjtë në Islam, është ndërtuar në vendin më të shenjtë në Judaizëm, Malin e Tempullit.

Dy vjet më parë, pretendimet mbi një operacion të policisë izraelite në Al-Aksa çuan në 11 ditë konflikt të hapur midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza.

Ushtria izraelite të premten tha se sulmet kishin në shënjestër instalimet që i përkisnin grupit militant Hamas në jug të Libanit. Mediat lokale raportuan shpërthime në qytetin port libanez të Tirit, shkruan Reuters.

Kryeministri i Libanit Najib Mikati tha se vendi i tij “refuzon kategorikisht çdo përshkallëzim ushtarak”.

/Shqip.com