Lajme

Iute Credit zhvat qytetarët? Kredi të shpejta, interesa të larta dhe fitime miliona euro

Mikrokreditë po kthehen gjithnjë e më shumë në një shqetësim për qytetarët shqiptarë. Këtë herë në fokus është “Iute Credit”, një prej institucioneve financiare jo banka, e cila akuzohet nga klientët se ka rritur kostot e kredive përmes komisioneve dhe interesave të larta.

Sipas të dhënave të raportuara, gjatë vitit të kaluar kompania ka arkëtuar rreth 20 milionë euro vetëm nga komisionet e aplikuara ndaj klientëve. Ndërkohë, në fund të vitit, “Iute Credit” deklaroi një fitim neto pas taksave prej 421.8 milionë lekësh.

Me një portofol kredish që arrin rreth 100 milionë euro, kompania ka gjeneruar rreth 33 milionë euro të ardhura nga interesat dhe komisionet, duke ngritur pikëpyetje mbi barrën financiare që u mbetet qytetarëve që marrin kredi të vogla.

Pak kohë më parë, është raportuar se Iute Credit ka zgjeruar ofertat e saj financiare, duke ofruar kredi deri në 600 mijë lekë për organizimin e ceremonive martesore. Kompania e promovon këtë financim si një mundësi për të realizuar “ditën më të bukur të jetës”, ndërsa oferta shoqërohet me një normë efektive interesi deri në 35.21%.

Aktualisht, Banka e Shqipërisë lejon norma interesi deri në 100% për kredi deri në 200 mijë lekë dhe deri në 40% për kredi deri në 600 mijë lekë. Ndërkohë, në disa vende të tjera rregullat për këtë sektor janë më të kufizuara. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, kreditorët nuk mund të aplikojnë tarifa që në rast falimenti tejkalojnë shumën totale të kredisë së marrë.

Prej vitit 2024 janë raportuar në media rastet e abuzimit dhe denoncimet e qytetarëve që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Pa asnjë filtër, këto institucione iu dhanë qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve.

Skandali i mikroredive është në hetim nga SPAK ku për gjykim janë dërguar 16 persona, si edhe 4 shoqëri financiare, konkretisht Micro Credit Albania, FINAL, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH. Prokuroria ka dalë në përfundimin se punonjës të këtyre kompanive, në bashkëpunim me përmbaruesit: kanë përdorur të dhënat personale të siguruara; presionin psikologjik dhe përndjekjen për të detyruar debitorët që të merrnin kredi të reja në këto institucione me principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta. Për t’i bindur, qytetarët i gënjenin se vetëm në këtë mënyrë do të shlyenin kredinë ekzistuese./ZËRI

/Shqip.com