Lajme

Ish-këshilltari i Thaçit e viziton atë në Hagë: Biseduam për temat jetësore

Ismail Syla dhe Hashim Thaçi

Ismail Syla, ish-këshilltari i ish-presidentit, Hashim Thaçi, tha se e ka vizituar atë në Hagë, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, ai tha se gjatë takimit me të kanë biseduar për të gjitha temat jetësore, përpos burgut.

Tutje, ai shton se nga aty shihet një dimension tjetër i lirisë së Kosovës, çmimi i çlirimit të saj dhe bërja e shtetit të Kosovës.

Ish – presidenti i Kosovës

“Sot e vizitova Presidentin Thaçi në Hagë dhe u ndjeva mirë me fuqinë e lartë morale të tij. Ndonëse, mbahet padrejtësisht dhe pa faj në paraburgim, biseduam për të gjitha temat jetësore, përpos burgut.

Nga aty shihet edhe një dimension tjetër i lirisë së Kosovës, çmimi i çlirimit të saj dhe bërja e shtetit të Kosovës. Shpreh bindjen dhe sigurinë që Presidenti Thaçi, ashtu siç doli faqebardhë në të gjitha fazat historike të Kosovës, do të del ngadhënjimëtar edhe përballë kësaj sfide!”, shkroi ai në Facebook.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020 nga Gjykata Speciale.

Sipas aktakuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.