Ish-guvernatori i BQK-së kërkon rreth 2 milionë euro nga Kosova, Apeli ende s’ka marrë vendim

Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim në rastin ku ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi kërkon rreth 2 milionë euro nga shteti.
Ka kaluar më shumë se një vit që Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e Rexhepit i cili kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumën prej 1,953,104.00 euro, për shkak të mbajtjes së tij në paraburgim si dhe masave tjera për sigurimin e pranisë së tij.
Me aktgjykimin e 27 tetorit 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditësit Rexhepi duke e detyruar të paditurën Republikën e Kosovës – Këshillin Gjyqësor të Kosovës që atij t’ia kompensoj shumën e përgjithshme prej 204,307.00 euro, në emër të dëmit material dhe jo material si dhe shpenzimet e procedurës në shumën prej 3,382.00 euro.
Kundër këtij aktgjykimi ishte lejuar ankesë në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të së njëjtit përmes kësaj gjykate.

Nga ajo kohë, kjo lëndë gjendet në Gjykatën e Apelit, e që sipas kësaj të fundit, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, thuhet se lënda është ende e pakryer.
“Tashmë janë bërë mbi një vit prej se është marrë aktgjykimi nga shkalla e parë, ndërsa nga shkalla e dytë ende nuk kemi një epilog lidhur me këtë rast”, thuhet nw pwrgjigje.
Paditësi një shumë të tillë, e kishte kërkuar për shkak të pretendimeve se nga 23 korriku e deri më 23 nëntor 2010 ishte mbajtur në paraburgim, ku pas kësaj atij i ishin shqiptuar edhe masat tjera si dorëzania dhe paraqitja në Stacionin e Policisë deri më 16 shkurt të vitit 2011, ku sipas padisë edhe ishte liruar nga aktakuza me aktvendim nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë.
Ndryshe, më 6 tetor 2020, përfaqësuesi i paditësit Adnan Pacolli me anë të parashtresës kishte bërë precizimin e kërkesëpadisë, me anë të së cilës paditësi ka kërkuar nga gjykata që të detyrohet e paditura, Republika e Kosovës, përkatësisht KGJK-ja, që atij t’ia kompensojë dëmin jomaterial në shumën e përgjithshme prej 1,630.000.00 euro, si dhe dëmin material dhe fitimin e humbur shumën prej 323,104.00 euro, me kamat ligjore prej 8% nga data 27 mars 2012, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 3,382.50 euro.
Ndërkaq, në seancën e shqyrtimit kryesor që ishte mbajtur më 9 tetor 2020, ishte dhënë fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse.
Sipas padisë së ushtruar më 27 mars 2012, paditësi Hashim Rexhepi, po kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kompensimin e dëmit material dhe jo material, për qëndrimin e tij në paraburgim për katër muaj si dhe masat tjera si ajo e dorëzanisë dhe paraqitjes në Stacionin Policorë gjer më 16 shkurt 2011.
Në padi thuhet se ai gjatë asaj kohe ishte emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Qendrore të Kosovës, ku i njëjti këtë detyrë e kishte ushtruar gjerë më 23 korrik të vitit 2010, dhe të njëjtit i ishte ndërprerë kjo detyrë pasi që kundër tij ishte caktuar masa e paraburgimit nga kjo datë.
Siç thuhet në padi paraburgimi ndaj paditësit ishte caktuar me arsyetimin se kundër tij është zhvilluar procedurë penale sipas aktakuzës së ngritur nga Prokurori Special i Republikës së Kosovës, për disa vepra të shënuara në këtë aktakuzë.
Gjithnjë sipas padisë, paditësi Rexhepi, në paraburgim ka qëndruar nga 23 korrik deri më 23 nëntor të vitit 2010, pas masës së paraburgimit ndaj paditësit janë shqiptuar edhe masat tjera të sigurisë siç janë dorzania dhe masa e paraqitjes në Stacionin Policor dhe atë deri më 16 shkurt 2011.
Në padi thuhet se paditësi në bazë të vendimit të ish-Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të nxjerr më 11 janar 2011, është liruar nga aktakuza dhe nga kjo del përfundimi se ndaj paditësit është zhvilluar procedurë pa bazë ligjore, gjë që përfaqëson bazë ligjore për dëmshpërblim.
Bazuar në padi zhvillimi i procedurës kundër paditësit qëndrimi në paraburgim dhënia e dorëzanisë si dhe masa e paraqitjes në Stacionin Policor, kanë bërë që paditësi të pësoj dëm të konsiderueshëm material dhe moral, ku nga ky dëm atij iu kishte mbyllur karriera si dhe konsiston në humbjen e pagës për punën që ai e bënte ashtu edhe në fitimin e humbur sidomos në pamundësinë që për shkak të këtyre masave është pamundësuar që ai të realizoi të ardhura.
Po ashtu në padi thuhet se KGJK, paditësit i ka bërë ofertë për ujdi jashtëgjyqësore për kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumën e përgjithshme prej 15,903.03 euro, ku kjo ofertë ishte konsideruar tejet e ulët nga paditësi dhe marrëveshja nuk ishte arritur.
Me anë të kësaj padie ai po kërkon nga gjykata që të detyrohet KGJK-ja, që atij t’ia kompensoj dëmin material dhe jo material të shkaktuar për shkak të mbajtjes së tij në paraburgim si dhe masave tjera për sigurimin e pranisë së tij./Shqip.com