Ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja i arrestohet një tjetër anëtar i familjes

Arrestohet me drogë dhe municione në makinë, Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit të Partisë Socialiste Rahman Rraja.
Mësohet se Ariel Rraja rezulton të jetë djali i Flamur Rrajës, i përfshirë në ngjarjen e rëndë të ndodhur në muajin Gusht 2023 në Fushë-Krujë, ku u dhunuan Jashar Maja dhe Bilbil Maja.
“Gjithashtu, nga këta specialistë u arrestua shtetasi A. Rr., 22 vjeç, banues në Nikël, Krujë, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin që drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe shuma parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin“, thuhet në njoftimin e policisë.
Rraja dorëzoi mandatin pasi djali i tij dhunoi barbarisht dy persona
Deputeti i Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, dorëzoi mandatin e deputetit në 8 korrik të këtij viti dhe u tërhoq nga jeta politike, për shkak se djali dhe dy vëllezërit e tij rezultuan bashkëautorë të dhunës barbare ndaj dy vëllezërve të fisit Maja në Fushë Krujë.
Rraja, pasi i kërkoi ndjesë publike dy viktimave të dhunës së shkaktuar prej familjarëve të tij, i bëri thirrje djalit të tij të dorëzohej para autoriteteve. Pamjet e dhunës brutale atë ditë bënë xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale, duke sjellë reagime të forta nga opinioni publik.
Ngjarjen e dënoi edhe ministri i atëhershëm i Brendshëm, Bledi Çuçi duke deklaruar se “pamjet e dhunës në Krujë, janë të rënda e të papranueshme, dhe se askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund t’u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë”.
Viktimat e dhunës ishin pjesëtarë të familjes Maja, ndërsa shumica e autorëve të dhunës i përkisnin familjes Rraja. Shkak për konfliktin u bë një gurore.
Anëtarë të fisit Maja janë ankuar se punimet dhe shpërthimet në gurore kryheshin pa standarde profesionale dhe u rrezikonin jetën si dhe u dëmtonin shtëpitë e zonës.
Por ankesat dhe denoncimet e banorëve kanë sjellë edhe reagimin e dhunshëm të grupit të kryesuar nga familjarët e deputetit socialist të cilët ishin pronarët e gurores.
/Shqip.com