Lajme

Isa Mustafa: Ka pas tentim për të më ekzekutuar gjatë kohës sa isha kryeministër

Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa
Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Grupi i hakerave “Homeland Justice”, kanë publikuar një sërë dokumentesh sekrete ku në to zbulohet plani për të ekzekutuar kryeministrin Albin Kurti, Ismet Haxhën, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe Xhavit Halitin anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.

Një atentat ishte planifikuar të bëhej edhe ndaj ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Këtë e ka konfirmuar vetë Mustafa në një deklaratë për Shqip.com.

“Kemi qenë të njoftuar nga organet për paralajmërim ose tentim të atentatit. Me këtë janë marrë policia dhe organet e tjera. Atëherë kam qenë i njoftuar se ka tentime.

Sipas njoftimeve që i kam pas nga policia, situata ka qenë shumë serioze”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, ish-këshilltari juridik i Mustafës, Besnik Berisha tha për Shqip.com se në këtë rast kanë qenë të përfshira të gjitha institucionet e sigurisë në vend.

“Ka qenë diçka serioze. Ka pas trajtim serioz të institucioneve. Edhe publiku ka pas mundësinë me pa që ka pas ngritje të nivelit të sigurisë. Kanë qenë të involvuar njësitë e specializuar në shoqërinë e zotëri Mustafa. I gjithë stafi ka qenë i informuar dhe ka qenë në kufinjtë maksimal të seriozitetit”, tha Berisha.

Besnik Berisha, ish-këshilltar juridik i Isa Mustafës

Anipse rasti sipas Berishës ka qenë “në kufijtë maksimal të seriozitetit”, nuk është proceduar me ndjekje penale.

“Rasti është trajtuar edhe nga institucionet kompetente por me gjasë nuk ka arritë të provohet mjaftueshëm për të procedu me ndjekje penale”, përfundoi Mustafa.

Theksojmë se sipas një dokumenti të bërë publik, këtë të hënë, nga hakerat “Homeland Justice” thuhet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.

Lexo edhe:
Plani për vrasjen e Kurtit dhe Xhavit Halitit – ulja politike e VV-së dhe ngritja e PDK-së e AAK-së

“Bazuar në informacione, Ismet Haxha ishte caku i parë i vrasjes. Caku i dytë ishte Xhavit Haliti i cili do ekzekutohej një muaj pas Haxhës për ta bërë për t’u dukur si hakmarrje ndaj Haxhës. Kurse, i caku i tretë është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili do ekzekutohej një muaj pas Halitit”, thuhet në dokument.

Të gjitha këto vrasje, ishin planifikuar të kryheshin brenda katër muajve gjatë vitit 2021./Shqip.com