Lajme

Isa Hajdari deklarohet i pafajshëm ndaj akuzës për mosdeklarim të pasurisë

Drejtor i Zyrës së Prokurimit në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Isa Hajdari është deklaruar i pafajshëm se nuk i ka deklaruar fare të hyrat nga biznesi i tij “Alfa Globe”.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Hajdari e ka dhënë të enjten, në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Rukije Sheshivari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë jam absolutisht i pafajshëm”, deklaroi Hajdari.

Ndërsa, mbrojtësi i tij, avokati Muhamet Durmishi ka deklaruar se pas konsultimin me palën e akuzuar në këtë fazë të procedurës nuk e pranojmë fajësinë dhe mbesin pranë deklarimit të tij se është i pafajshëm.

Gjykatësi i rastit Eroll Gashi ka njoftuar se të njëjtit kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës deri më 7 tetor 2023.

Ndryshe, prokurorja Sheshivari pas leximit të aktakuzës ka bërë prezizimin e aktakuzës sa i përket rreshtit të parë të dispozitivit, ashtu që në vend të ekziston dyshimi i arsyeshëm duhet të jetë ekziston dyshimi i bazuar.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Themelore më 9 shkurt 2023, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Isa Hajdari, si zyrtar i lartë publik- drejtor i Zyrës së Prokurimit në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, i cili ka qenë i detyruar që të bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale dhe detyrimeve financiare, nga 1 mars deri më 31 mars 2021, në deklarimin e pasurisë për periudhën 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2020, të dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, më 30 mars 2021, nuk i ka deklaruar fare të hyrat nga biznesi i tij “Alfa Globe”, sh.p.k., ku ishte bashkëpronar me bashkëshorten e tij.

Me këtë, Hajdari akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430, paragrafi 2 i Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

/Shqip.com