Lajme Botë

Irani dhe Suedia shkëmbejnë të burgosur

Hamid Nouri ishte dënuar nga Gjykata suedeze për krime lufte nga Suedia në lidhje me ekzekutimet masive të vitit 1988 në Republikën Islamike.
Hamid Nouri ishte dënuar nga Gjykata suedeze për krime lufte nga Suedia në lidhje me ekzekutimet masive të vitit 1988 në Republikën Islamike.

Suedia dhe Irani kanë shkëmbyer të burgosur të shtunën, thanë zyrtarët, me Suedinë që e liroi një ish-zyrtar iranian të dënuar për rolin e tij në ekzekutimin masiv të të burgosurve politikë më 1988, derisa Irani i liroi dy suedezë që po mbaheshin nga Teherani.

Hamid Nouri u lirua nga Suedia në shkëmbim të lirimit të një diplomati të Bashkimit Evropian dhe të një burri tjetër të mbajtur nga Teherani.

Irani i liroi Johan Floderus, një suedez që punonte për trupin diplomatik të BE-së, si dhe Saeed Azizin, tha kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson.

“Ata janë në avion rrugës për në Suedi, dhe së shpejti do të ribashkohen me familjet e tyre”, tha Kristersson në rrjetin social X.

Omani e ndërmjetësoi marrëveshjen e shkëmbimit, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Omanit.

Televizioni shtetëror iranian raportoi se Nouri është liruar tashmë dhe se do të kthehet në Teheran.

Në vitin 2022, Gjykata e Qarkut e Stokholmit e dënoi Nourin me burgim të përjetshëm për shkak të rolit të tij në ekzekutimet masive. Gjykata e identifikoi atë si ndihmës të zëvendësprokurorit në burgun Gohardasht në periferi të qytetit iranian Karaj.

Ekzekutimet masive të vitit 1988 u kryen në fund të luftës së gjatë të Iranit me Irakun. Pasi lideri suprem i atëhershëm i Iranit, Ruhollah Khomeini, e pranoi një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara për armëpushim, pjesëtarët e grupit opozitar iranian, Mujahedeen-e-Khalq, të armatosur rëndë nga Saddam Hussein, kryen një sulm befasues përgjatë kufirit iranian.

Irani e frenoi sulmin e tyre, por sulmi u hapi rrugë rigjykimeve të rrejshme të burgosurve politikë, militantëve dhe të tjerëve, që më vonë u bënë të njohura si “komisionet e vdekjes”.

Grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut vlerësojnë se rreth 5.000 njerëz u ekzekutuan. Irani kurrë nuk i ka pranuar plotësisht ekzekutimet, të cilat u kryen me urdhrat e Khomeinit, edhe pse disa argumentojnë se edhe zyrtarët e tjerë të lartë ishin përgjegjës në muajt e fundit para vdekjes së Khomeinit më 1989.

Presidenti i ndjerë iranian Ebrahim Raisi, i cili vdiq nga rrëzimi i një helikopteri në maj, ishte përfshirë gjithashtu në ekzekutimet masive. /REL

/Shqip.com