IPK: Personat e paautorizuar kanë qasje në dhomat ku ruhen dëshmitë

Policia e Kosovës është duke treguar dobësi në menaxhimin e dhomave ku ruhen dëshmitë e ndryshme.
Kështu thotë raporti i Inspektoratit Policor i cili ka gjetur se në dhomat ku ruhen dëshmitë kanë qasje personat e paautorizuar (zyrtar policor).
Sipas IPK-së në çelësin e dhomës së dëshmive lejohet të ketë qasje vetëm zyrtari përgjegjës i dhomës së dëshmive si dhe komandanti i Stacionit Policor.
Mirëpo kjo procedurë nuk respektohet në Stacionin Policor në Mitrovicën e Jugut pastaj në Leposaviq dhe në Mitrovicë të Veriut sepse në çelësin e dhomës së dëshmive kanë qasje edhe shefat e hetimeve.
Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë nuk ka respektuar kriterin që çelësi të jetë në zarf të mbyllur.
Kurse sipas raportit në stacionin policor Prishtinë-Qendër, çelësi i dhomës mbahet nga zëvendës komandanti pasi pozita e komandantit nuk është plotësuar.
Kurse komandanti i Stacionit Policor, Prishtinë-Veriu nuk mban fare çelës të dhomës së dëshmive.
Dhomat e dëshmive në Gjakovë, Pejë dhe Prishtinë-Qendër nuk kanë sistem të alarmit
Raporti thekson se dhomat e dëshmive duhet të kenë instaluar alarmin i cili aktivizohet kur hapet dera pa autorizim.
Alarmi aktivizohet nga detektorët e lëvizjes i cili regjistron edhe hyrjet.
Në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviq është instaluar sistemi i alarmit por i njëjti nuk është funksional.
Kurse në Gjakovë, Pejë dhe në Prishtinë nuk është instaluar sistemi i alarmit në dhomat e dëshmive.
Është paraparë që dhomat e dëshmive duhet të jenë të monitoruar me sistem të kamerave të cilat vendosen në pjesët hyrëse të dhomave dhe në hapësirat e brendshme i cili monitorim duhet të deponojë imazhet në procesorin e serverit.
Stacioni Policor në Prizren dhe Pejë nuk kanë të vendosura kamera para hyrjes në dhomat e dëshmive.
Kriter tjetër sa i përket sigurisë është pajisja e dhomave me aparate për shuarjen e zjarrit dhe detektorë të tymit.
Të gjitha dhomat e dëshmive të inspektuara kanë qenë të pajisura me aparate për shuarjen e zjarrit dhe me detektor.
Mirëpo në Mitrovicën e Jugut dhe në Gjakovë sistemi është jashtë funksionit.
Dhoma e dëshmive në Prishtinë sigurohet nga një dërrasë
Në Stacion Policor në Prishtinë-Qendër, dritarja në dhomën e dëshmive sigurohet nga një dërrasë.
Kërkohet që dritarja të sigurohet me grila mirëpo ky kriter nuk është respektuar.
Edhe në Leposaviq në dhomën e dëshmive ekziston dritarja e cila nuk është e siguruar.
Raporti thekson se ka disa dobësi teknike tek dyert e dhomës së dëshmive të cilat nuk janë siguruar mirë.
Sa i përket infrastrukturës është evidentuar se në dhomën e dëshmive në Stacionin Policor në Ferizaj gjendja nuk është e kënaqshme ngase në bodrumin e objektit ku është dhoma ka nivel të lartë të lagështisë për shkak të depërtimit të ujërave të zeza.
Dhoma nuk është e pastër dhe ndriçimi është i dobët dhe si pasojë këto kushte pamundësojnë zhvillimin e një procesi të rregullt të punës.
IPK-ja i ka rekomanduar drejtorit të departamentit për operacione që bashkë me drejtorin e departamentit të shërbimeve mbështetëse të inspektojnë kushtet dhe funksionalitetin në disa nga dhomat e dëshmive dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme drejt permisimit të kushteve teknike dhe të sigurisë.
Në Kosovë kanë ndodhur dy raste të vjedhjeve në dhomat e dëshmive.
Rasti i parë ka ndodhur në vitin 2009 ku në dhomën e dëshmive është vjedhur drogë dhe dëshmi të tjera.
Në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë punonjësit e policisë.
Kurse në vitin 2012 janë vjedhur 25 kilogramë ari në dhomën e dëshmive në Pejë.
Edhe në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë zyrtarët policor. /Shqip.com