Lajme

IPK për rastin e policit Hoxha: Suspendimi është bërë nga Policia e Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës ka sqaruar se zyrtari policor, Amir Hoxha, nuk është suspenduar nga IPK-ja, por nga Policia e Kosovës.

“Duke ju referuar kërkesave të shumta ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk është duke e trajtuar këtë rast dhe nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

Mes tjerash, në njoftim thuhet se hetuesit e IPK-së merren me vepra penale të kryera nga punonjësit e policisë, por jo dhe kur bëhet fjalë për shkelje disiplinore.

“Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së hetuesit e IPK-së hetojnë të gjitha veprat penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj”.

“Rekomandimi për suspendim nga IPK bëhet në rastet e hetimit të veprave penale dhe kur është në interes të procedurës hetimore – penale”, përfundon njoftimi.

Zyrtari policor, Amir Hoxha

Zyrtari policor, Amir Hoxha, ka njoftuar të premten vonë se është suspenduar përkohësisht në afat prej 3 ditësh, pas një postimi që kishte bërë në llogarinë e tij në Facebook, ku kishte shprehur pakënaqësitë për mospagesën e shujtave për policët.

Në postimin e tij, Hoxha kishte përmendur edhe kompensimet e deputetëve për derivate duke thënë se “një polic mund të lihet pa bukë në kryerje të detyrës ama deputeti pa karburante kurrsesi jo. Turp ju qoftë, prapë dora jonë do ju ndëshkoj o të shkretë”.

E arsye për suspendimin e tij, ai tregon se është “preteksti se unë kam kryer vepër penale apo shkelje të rëndë disiplinore”./SHQIP.com