Kulturë

Intervistë / Xhevat Syla: Çdo shkëputje eventuale më e gjatë nga leximet, më bën të mërzitur, të pakënaqur, të munguar

Xhevat Syla / Poet e studiues i letërsisë
Xhevat Syla / Poet e studiues i letërsisë

Në këtë intervistë – e pabotuar deri tani – dhënë ekskluzivisht për mediumin shqip.com, poeti e studiuesi i njohur i letërsisë shqipe, Xhevat Syla, diskuton mbi leximin, shkrimin, shkrimtarët, kritikën, librat, fiksionin, mësimdhënien, idetë…

Shqip.com: Le të fillojmë këtë intervistë duke folur për fëmijërinë tuaj. Çfarë kujtimesh keni nga ajo kohë dhe si ju lindi për herë të parë ideja të jeni shkrimtar?

Xhevat Syla: Si fare i vogël, ndjeva në vete dëshirën të këndoj. Kisha zë të mirë dhe një artikulim të mirë e të qartë të fjalëve. Nga radio mësova një numër të madh këngësh të cilat i këndoja rëndom kur isha vetëm, në bahçe apo diku tjetër. Bile, kur e dija se dikush më dëgjonte, nuk dija të ndalesha së kënduari. Mësuesi, në orën e muzikës, shpesh kërkonte nga unë të këndoja ndonjë këngë, gjë që unë e bëja pa përtesë. Krahas këngës, e doja shumë edhe vizatimin. Punoja portrete karakteristike të njerëzve si Lenini, Marksi, Engelsi, Skënderbeu etj., por vizatoja edhe peizazhe të cilat më vonë i prishja duke i ngjyrosur, ngase nuk kishte kush të më mësonte si të përdorja ngjyrat.

Vetëm në klasën e pestë, kur art figurativ na jepte një arsimtar që kishte mbaruar shkollë të lartë të artit, falë tij, zura të mësoj si të përdorja ngjyrat dhe të mos i prishja vizatimet e bukura që i bëja me laps. Në një rast, po ai arsimtar e nxori në tabelë një peizazh timin të punuar me laps për t’u treguar nxënësve të tjerë si punohet, por kur na e dha detyrë që të njëjtin ta bënim me ngjyra si detyrë shtëpie, punimin tim prapë e nxori në tabelë por në këtë rast për të treguar si nuk duhet pikturuar. Ndaj edhe m’i kushtoi nja dy copa orësh mësimi për të më mësuar si të përdorja ngjyrat dhe si të pikturoja. Nga ajo kohë arti figurativ më ngeli një dashuri e veçantë.

Po ashtu, që në fëmijëri e ndjeva në vete edhe mundësinë dhe dhuntinë të thur vargje. Vjershën e parë e shkrova në klasën e tretë të fillores, një ditë pranvere, si rezultat i një frymëzimi që më kishte ardhur në atë sy të pranverës nga arritja e lejlekut në lisin e lartë pranë kullës ku jetoja. Atë vjershë, me të cilin isha i kënaqur krahasuar me një vjershë për vjeshtën që një vit më parë e kisha shkruar si detyrë shtëpie të dhënë nga mësuesi, ia tregova vëllait tim të madh që ishte profesor i letërsisë.

Meqë i pëlqeu edhe atij, ai ia kishte dhënë atë një miku të tij, kryeredaktorit të revistës “Shëndeti”, Ramiz Hoxhës, dhe pas pak kohe vjersha u botua në faqen për fëmijë të asaj reviste. Botimi i saj më qe një nga gëzimet e mëdha në jetën time. U nxita të shkruaja edhe më tutje vjersha, por edhe të lexoja libra me vjersha e tregime, të cilët m’i sillte vëllai nga Prishtina. Kështu, gjatë shkollimit fillor isha aktiv në grupin letrar të shkollës, pastaj në atë të qytezës ku jetoja, dhe botoja vjersha e tregime nëpër revistat për fëmijë që dilnin atëbotë, si “Pionieri”, “Gëzimi” e “Fatosi”, pastaj në faqet e fëmijëve në gazetën “Rilindja”, “Flaka e vëllazërimit”, “Zëri i Rinisë”, “Bat” etj.

Kur mbarova klasën e gjashtë, gjatë pushimit veror, më erdhi një ftesë nga Pleqësia për Kujdesin dhe Edukimin e Fëmijëve e Kosovës, e nënshkruar nga kryetarja, zonja Vehbije Gjinali, se, si nxënës që isha dalluar me botimet e krijimeve të mia letrare në periodikun letrar për fëmijë, isha zgjedhur të shkoja në Pushimoren e Fëmijëve në Deçan për të mbajtur disa orë letrare me fëmijët nga Kosova që pushonin aty. Si unë ishin caktuar edhe disa fëmijë të tjerë që ishin shquar me krijimet e tyre të publikuara në “Pionieri” dhe në revista të tjera për fëmijë gjatë asaj kohe, si Gani Jakupi, autorë stripash, Nezir Sefaj, Ilir Thaçi, që kishin botuar vjersha, Muzafere Krasniqi nga Peja, që kishte fituar çmimin e parë në një konkurs për hartim (ese), etj. Aty, që në mbrëmjen e parë letrare patëm kënaqësinë të ishim bashkë edhe me shkrimtarët Rexhep Hoxha, Vehbi Kikaj, Rrustem Berisha dhe Çedo Shunjeviqi. Ky rast më shërbeu edhe si një nxitje tjetër e fuqishme të shkruaja dhe të botoja krijimet e mia letrare në poezi dhe në prozë. 

Si nxënës i klasës shtatë i kisha dërguar për botim në “Pionieri” disa vjersha, por nga kryeredaktori i atëhershëm i revistës, Tajar Hatipi, më qe dërguar një letër nëpërmjet rubrikës “Posta” të revistës, ku ai, duke më bërë komplimente për gjuhën, më kishte njoftuar se dy nga ato vjersha po më botoheshin, por më kishte këshilluar që dy të tjera t’ia dërgoja “Jetës së Re”, meqë ishin për më të rritur.

Në vitin e katërt të gjimnazit, kur kisha botuar mjaft shkrime për fëmijë, e botoja edhe për të rritur, e takova shkrimtarin Vehbi Kikaj, i cili më tha: Tani ke bërë mjaft vjersha të botuara dhe do të mund të bësh një libër. Sikur kisha pritur vetëm këto fjalë dhe menjëherë e sajova një përmbledhje me disa nga vjershat e botuara. E dorëzova në Edicionin e botimeve të “Rilindjes” te kryeredaktori Rrahman Dedaj, dhe ajo, pas pak muajsh doli, me përkujdesjen e redaktorit të letërsisë për fëmijë aty, Rifat Kukajt.

Ishte edhe një gëzim që nuk e harroj kurrë. Kështu iu dhashë më me përkushtim krijimtarisë letrare, por pa u nxituar shumë asnjëherë. Krijimtarinë letrare zura ta kuptoj si një fushë primare të angazhimeve të mia, sado që puna më qiti në situata kur më shumë më merrnin kohë punë të tjera nga vendet e punës që kisha, gjithnjë me përgjegjësi shoqërore.

Shqip.com: Shkruani letërsi për fëmijë e të rinj, anipse e keni provuar veten edhe në letërsinë për të rritur, por duket se gjithmonë më shumë jeni pëlqyer për elegancën që keni sjellë me poezitë për fëmijë. Pse kjo përzgjedhje, ky parapëlqim?

Xhevat Syla: Po. Leximet e librave dhe jeta më kanë nxitur të shkruaj jo vetëm për fëmijë, por edhe për të rritur. Si i ri kam botuar poezi për të rritur në periodikun letrar të asaj kohe, ndërsa në vitin 1993 botova përmbledhjen me poezi për të rritur “Hyrje në vjeshtë”. Kam vazhduar dhe vazhdoj të shkruaj ende poezi për të rritur, të cilat mbase do t’i përmbledh në një libër.

Kam botuar edhe tregime për të rritur. Edhe tani shkruaj edhe për të rritur, por përqendrimi im më i madh është në krijimtarinë letrare për fëmijë, para së gjithash në poezi. Ka kohë që i jam përkushtuar edhe studimit të letërsisë për fëmijë.

Kam botuar disa libra me shkrime për letërsinë për fëmijë, recensione, vështrime, studime e artikuj të ndryshëm, por kam botuar edhe tri monografi për tre shkrimtarë tanë të njohur për fëmijë: Vehbi Kikaj, Xhevat Beqaraj dhe Ymer Elshani. Madje, libri “Arti i porosisë” (1998), që i kushtohet krijimtarisë letrare të Vehbi Kikajt, është monografia e parë për një shkrimtar për fëmijë në letërsinë tonë. 

Shqip.com: E keni thënë se askund nuk ndiheni më mirë se në poezinë për fëmijë…

Xhevat Syla: Poezia për fëmijë më bën më të lumtur, ashti siç më bëjnë të lumtur edhe gëzimet në fytyrat e zemrat e fëmijëve. Përpiqem t’ia qëlloj, edhe pse nuk është lehtë. Letërsia për fëmijë në përgjithësi, e në këtë kuadër edhe poezia për ta, kërkon përqendrim të veçantë. Ajo shkruhet edhe nga fëmijët në cicërimat e tyre të para të shpërfaqjes së talentit, por letërsia e mirëfilltë për fëmijë shkruhet nga të rriturit, nga ata të cilët e kanë vazhduar shpërfaqjen e talentit të tyre dhe që kanë ngelur me përkushtimin dhe dashurinë ndaj kësaj krijimtarie, që e kanë dashur dhe kanë vazhduar ta duan botën e fëmijëve, që kanë bërë dhe bëjnë përpjekje që komunikimin me fëmijët ta kenë sa më të afërt, sa më interesant, sa më artistik, sa më tërheqës për ta.

Kjo punë nuk është, as ka qenë e lehtë ndonjëherë. Shkrimtari për fëmijë, në aspektin e temave dhe të motiveve që trajton, duhet ta jetojë dhe ta perceptojë botën si fëmijë, me ëndrrat dhe dëshirat e fëmijës, sado që në jetën e tij të përditshme do të ballafaqohet me punë e obligime të ndryshme për të siguruar mbijetesën e vetvetes, po edhe të familjes së tij, me problemet, përgjegjësitë e sfidat e ndryshme të cilat u takojnë ekskluzivisht të rriturve.

Ndaj nuk është punë e lehtë përkushtimi aq i prerë dhe aq i madh vetëm krijimtarisë letrare për fëmijë, thellimi në botën dhe imagjinatën e tyre. Në këtë plan shkrimtarëve nuk iu ndihmon mbështetja në fëmijërinë dhe përvojat e tyre, në kujtimet nga fëmijëria, meqë ato i përkasin një kohe tjetër, e cila nuk del të jetë interesante për fëmijët e kohës sonë. Madje, temat e tilla sikur më shumë i shkojnë letërsisë për të rritur. Xhevahirët më të mirë në krijimtarinë letrare për fëmijë rëndom kanë krijuar ata që i janë përkushtuar me shpirt vetëm asaj.

Të tillë kemi një numër shkrimtarësh tanë që dihen, si Xhevat Beqaraj, Vehbi Kikaj, Tasim Gjokutaj, Ymer Elshani, Xhahid Bushati, Bardhosh Gaçe etj., por nuk janë të rralla rastet që edhe shkrimtarët e shquar në krijimtarinë letrare për të rritur të na kenë lënë po ashtu xhevahirë të vlefshëm për fëmijë. Edhe këtij grupi kemi mjaft shkrimtarë që i takojnë. Kujtojmë tregimet dhe përrallat për fëmijë të Mitrush Kutelit, poemat për fëmijë të Ismai Kadaresë, disa poezi për fëmijë të Kolë Jakovës, të Xhevahir Spahiut, krijimet për fëmijë të Moikom Zeqos etj.

Shqip.com: A ndiqni një metodë të caktuar shkrimi? A keni një orar sipas të cilit shkruani gjithmonë?

Xhevat Syla: Llojin e shkrimit e përcakton frymëzimi, ideja, qëllimi. Poezia rëndom shkruhet pas një cytjeje të brendshme. Ndryshe qëndron puna me tregimin, novelën, romanin, dramën. Mirëpo edhe shkrimi monografik për një shkrimtar dhe për veprën e tij, kërkon një cytje të brendshme, që vjen nga njohja e mirë e krijuesit për të cilin do të shkruash, nga pëlqimi paraprak që do të kesh për të si njeri e veçmas si krijues.

Sa i përket kohës kur shkruaj, nuk mund të them se kam një kohë të caktuar. Mbase u takoj atyre që jetën e bëjnë pa orar, mirëpo më herët, kur isha më i ri, ka ndodhur shpesh që nata të më kalonte duke shkruar. Tani, që kam bërë mbi gjashtë decenie jetë, disi më shumë më shkruhet në mëngjes.

Shqip.com: Çfarë roli mendoni se duhet të luajë shkrimtari në politikën e kohës së tij?

Xhevat Syla: Shkrimtari, përkatësisht vepra e tij, është domosdo e lidhur me kohën në të cilën jeton dhe krijon. Ai ka një rol të veçantë në këtë aspekt. Shkrimtari për fëmijë, ta zëmë, është i suksesshëm nëse krijon një vepër të pëlqyeshme nga fëmijët e kohës në të cilën shkruan dhe ndikon me të në përmbushjen e nevojave të tij edukative, argëtuese, mësimore dhe estetike.

Rëndom, mbesin të jetojnë më gjatë, apo siç thuhet t’u rezistojnë kohëve, krijimet që shquhen për universalitetin e tyre. Të tilla janë edhe krijimet që trajtojnë tema të rëndomta, por që kanë një qasje universale, siç janë shumë poezi që i kushtohen nënës, atdheut, natyrës, botës florike e faunale, peizazheve të natyrës, apo në prozë, rëndom krijimet me subjekt përrallor e të tjera. Shkrimtari dhe politika? Është një temë e veçantë dhe shumë komplekse. Rëndom politika ka ndikim në shkrimtarin.

Marrim parasysh krijimtarinë që u zhvillua në Shqipëri në kohën e realizmit socialist, të cilin e impononte politika e kohës. Shumica e shkrimtarëve janë sjellë në kuadër të rregullave që ka përcaktuar apo i ka kërkuar ai sistem. Mirëpo, ka raste kur edhe letërsia ndikon në politikën. Marrim shembull krijimtarinë e rilindësve tanë dhe rolin që ata kanë pasur në zgjimin dhe mbajtjen gjallë të ndjenjës kombëtare, të dashurisë për atdheun, në nxitjen dhe formimin e vetëdijes për vlerat humane në përgjithësi dhe në përcaktimin dhe ndërtimin e një politike për angazhimin për çlirimin kombëtar, para së gjithash.

Kjo frymë është me ndikim edhe sot e gjithë ditën. Do të ishte e preferueshme, mbase edhe ideale, që krijimtaria letrare të ndikonte në politikën me prirjen e saj humaniste, demokratike, me përkushtimin për lirinë e fjalës dhe lirinë si domosdo në jetën e njerëzimit.

Shqip.com: A filloni me një grup të vogël idesh të palidhura ose me një konceptim më të madh që më pastaj e plotësoni gradualisht?

Xhevat Syla: Unë shkruaj më shumë dhe më me dëshirë poezinë për fëmijë, sado që kam shkruar edhe tekste në prozë për fëmijë, por edhe për të rritur. Secili krijim, çfarëdo qoftë ai, ka historinë dhe mënyrën e vet të krijimit. Ndonjëherë edhe idetë, në dukje të parë të palidhura, mund të lidhen dhe të bëjnë një tërësi harmonike. 

Shqip.com: Cilët ishin shkrimtarët që i keni lexuar me kënaqësinë më të madhe dhe ata që ju kanë lënë përshtypjen më të madhe?

Xhevat Syla: Në fëmijëri ndihesha shumë i lumtur kur lexoja shkrimtarët për fëmijë, si tanët, ashtu edhe të huajt që na vinin të përkthyer. Në fillim ishin Rexhep Hoxha, Mark Krasniqi, Anton Çetta, Mehmedali Hoxha e të tjerë, por edhe ndonjë krijim i rilindësve tanë që e gjenim nëpër libra të leximit, si nga ato të Naim Frashërit, Çajupit, Ndre Mjedjes, Asdrenit etj.

Pastaj vijnë shkrimtarët e njohur të të ashtuquajturit brez i dytë i shkrimtarëve, si Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Qamil Batalli, Rrahman Dedaj, Ali Huruglica, Fejzi Bojku, por edhe Spiro Çomora, Alqi Kristo, Odhise Grillo, Bedri Dedja, Xhevat Beqaraj, Adelina Mamaqi etj., librat e të cilëve na vinin në Kosovë. Ndërkohë zemrat tona si lexues të rinj u pushtuan dhe u kënaqën edhe me krijimet e Ymer Elshanit, Agim  Devës, Ymer Shkrelit, Hasan Hasanit, Ibrahim Kadriut, Arif Demollit, Nexhat Halimit e të tjerëve.

Pastaj romanet si “Malësorja” i Nazmi Rrahmanit, “Sikur t’isha djalë” i Haki Stërmillit, “Lulja e kujtimit” i Foqion Postolit, “Pse” i Sterjo Spasses e shumë e shumë të tjerë. Herët i kam lexuar dhe më kanë pëlqyer edhe përmbledhjet e poezive të Martin Camajt “Kanga e vërrinit” dhe “Një fyell ndër male”, pastaj “Për ty“ e Esat Mekulit, si dhe librat e hershëm me poezi të Enver Gjerqekut, Latif Berishës, Din Mehmetit, Fahredin Gungës, Ali Podrimjes, Muhamed Kërveshit, e ndërkohë, edhe librat e Beqir Musliut, Teki Dërvishit, Sabri Hamitit, Eqrem Bashës e të tjerëve.

Ndër librat që m’i pati sjellë vëllai nga Prishtina për lexim kur isha nxënës i klasës së pestë të fillores, ishte edhe libri “I huaji” i Albert Kamysë. Atë libër e pata lexuar qysh atëherë dhe sado që e lexova edhe dy herë më vonë gjatë shkollimit, megjithatë më e ëmbla më ngeli kënaqësia e leximit të parë. Këtu hyjnë edhe disa libra të autorëve botërorë dhe jugosllavë të cilët ishin të përkthyer në gjuhën shqipe, si Maksim Gorki, Jesenjini, Tolstoji, Gogolji, por edhe Oton Zhupançiqi, Branko Çopiqi, Desanka Maksimoviqi etj.

Pra, janë shumë autorë e shumë libra të cilët më janë ngulitur në kujtesë si kujtime të mira, që nuk harrohen. I përmenda vetëm ato të mëhershmet, pa hyrë në këtë malin e madh të autorëve dhe librave të cilët i kam lexuar dhe vazhdoj t’i lexoj dhe të kënaqem. Çdo shkëputje eventuale më e gjatë nga leximet, më bën të mërzitur, të pakënaqur, të munguar.

Shqip.com: Secili tekst i ri është një tjetër sfidë, një tjetër përjetim…

Xhevat Syla: Secili tekst i ri ka cytjen, nevojën dhe qëllimin të shkruhet. Është vërtet një sfidë – synohet të jetë diçka tjetër nga ajo që ke shkruar, mundësisht të arrihet një hallkë më e lartë cilësie. Është një përjetim i ri që plotëson diçka, që të gëzon për shkak se mbetet prapa si punë e kryer.

Shqip.com: Mendoni se letërsia ka “një të vërtetë”? Nëse po, cila është ajo?

Xhevat Syla: Pa dyshim, letërsia përmban një të vërtetë të madhe, ndoshta të vërtetën më të madhe, madje edhe atëherë kur në bazë ka fiksionin, fantazinë e autorit, ngase edhe ajo është produkt i një kohe, i një realiteti, i një të vërtete. Historia mund të na mësojë edhe të vërteta të diskutueshme, varësisht kush e shkruan atë dhe për çfarë qëllimi, ndërsa letërsia është diçka tjetër, rëndom më depërtuese dhe më e besueshme.

Shqip.com: Si mund ta shpjegoni veten mes një profesori letërsie dhe një shkrimtari për fëmijë?

Xhevat Syla: Isha i privilegjuar një kohë të shkruaja letërsi për fëmijë dhe të ligjëroja lëndën e letërsisë për fëmijë. Ligjëratat dhe puna me studentë është kënaqësi e veçantë. Si profesor ndihesh i lumtur kur studentëve u ligjëron një lëndë që e do dhe e njeh mirë, kur je në gjendje të kuptosh nevojat e tyre për këto dije dhe të vlerësosh sasinë e informatave që atyre mund t’u nevojiten. Kam pasur kënaqësi në shumicën e ligjëratave. Kam pasur vëmendjen e studentëve, edhe pse nuk ka qenë lehtë që ajo të përfitohet gjithherë, sidomos te grupet e mëdha të tyre.

Madje, ndonjë ligjëratë më ka përfunduar edhe me duartrokitjen e studentëve si shenjë falënderimi, mirënjohjeje dhe pëlqimi. Kjo padyshim të bën të lumtur dhe ta shton edhe më shumë dëshirën dhe përgjegjësinë për punë. Gjithë këtë kënaqësi me siguri nuk do të mund ta përjetoja po të ligjëroja ndonjë lëndë tjetër mësimore. Mirëpo mua, personalisht, me këtë lëndë (letërsinë për fëmijë) më ndërlidhen njohuritë e fituara për të, dashuria ndaj saj, përvoja krijuese, sfidat në studimin e saj dhe dëshira për të realizuar sa më mirë misionin e besuar si ligjërues i saj para studentëve.

Shqip.com: Keni shkruar recensione për shumë prej shkrimtarëve bashkëkohorë. Ajo s’mund të ketë qenë një detyrë e lehtë, meqenëse disa prej tyre i keni njohur edhe personalisht, çka mendoni për këtë? Çka mendoni për nivelin e kritikës aktualisht në letërsinë tonë për fëmijë?

Xhevat Syla: Kam shkruar recensione për shumë libra të autorëve të ndryshëm. Kam përzgjedhur librat dhe kam shpërfaqur kënaqësinë që kam ndier nga leximi i tyre. Atë kënaqësi jam përpjekur t’ua shpërfaq edhe të tjerëve. Rrallë kam pasur ndonjë vërejtje, ndonjë kritikë, më shumë kam shprehur përkrahje dhe kam vënë në spikamë vlerat që kam gjetur në libra. Për librin që është dashur të kritikohet as kam dashur ta lexoj, e lëre më të shkruaj për të.

E, ka të tillë. Fatkeqësisht. Aktualisht nuk mund të themi se kemi ndonjë kritikë të mirëfilltë letrare të letërsisë për fëmijë, mirëpo janë me shumë  interes kritikat e studimet e bëra në këtë fushë nga Bedri Dedja, Odhise Grillo, Agim Deva, Astrit Bishqemi, Hamit Beqja, Ramazan Çadri, Bardhosh Gaçe, Ramadan Musliu, Tasim Gjokutaj, Viktor Canosinaj, Faik Shkodra, Prend Buzhala, Milaim Nelaj, Hasan Hasani, Anton Nikë Berisha, Nehas Sopaj, Dije Demiri-Frangu, Pandeli Koçi, e sidomos janë për t’u theksuar shkrimet kritike dhe studimore, me të cilat aktualisht po na gëzon shkrimtari dhe studiuesi i përkushtuar Xhahid Bushati.

Shqip.com: Krejt në fund, ne jemi mirënjohës për atë që keni shkruar dhe ju faleminderit për këtë intervistë të shkëlqyer.

Xhevat Syla: Faleminderit edhe juve që më dhatë rastin të shpalos disa kujtime, por edhe mësime e këndvështrime të mia për disa pyetje të cilave iu përgjigja me kënaqësi.

/Shqip.com