Kulturë

Intervistë: Naim Kelmendi, letërsia është identiteti dhe shpirti i një shoqërie

Intervistë: Naim Kelmendi, letërsia është identiteti dhe shpirti i një shoqërie
Intervistë: Naim Kelmendi, letërsia është identiteti dhe shpirti i një shoqërie

Naim Kelmendi është një nga zërat më të rëndësishëm në letërsinë e sotme shqipe. Ka shkruar mbi 30 vepra autoriale të botuara tash e 40 vite, në këtë prodhim letrar kryeson poezia. Ai është origjinal, puna e të cilit vërehet edhe përmes përzgjedhjes se veprave për botim nga shtëpia botuese “Rugova Art”, i cili është edhe themelues i saj.

E, pyetjet e trajtuara në këtë intervistë i qasen kryesisht çështjeve që lidhen me artin poetik, për sfidat, vështirësitë dhe të arriturat e shtëpisë botuese “Rugova Art”, për ndikimin e letërsisë në shoqëri, për prezantimin e letërsisë shqipe jashtë kufijve shqiptarë, por mbi të gjitha, krijojnë një ndjenjë të bukur e një peshë të veçantë për secilin lexues.

Shqip.com: “Rugova Art”, është një nga shtëpitë botuese më të njohura në Kosovë. A mund të na flisni për rrugëtimin e kësaj shtëpie (sfidat, vështirësitë dhe të arriturat)?

Naim Kelmendi: Ka vite, deri tash 17 vite, që shtëpia botuese “Rugova Art” ka bërë rrugën e vet me botimet e veta kryesisht letrare. Edhe përkundër vështirësive, dhe mbase ka pasur edhe sfida, megjithatë ia kemi dalur deri dikund të sjellim prurje të vlerave në botimet letrare. Mbase s’mund të jemi të kënaqur në arritjen e qëllimeve e synimeve, por megjithatë një pikë të realizimeve mund të them se është arritur në këtë rrugëtim të veprimtarisë botues. Pra, këto vite të botimit, mendoj se shënojnë deri dikund një pikë të suksesit dhe arritjeve, por mbetet për të bërë më shumë në vazhdim…

Shqip.com: Ju prodhoni pothuajse të gjitha zhanret letrare. Në bazë të çfarë kriteresh i përzgjidhni autorët për botim (autorët vendorë apo të huaj)?

Naim Kelmendi: Tashmë shtëpia botuese “Rugova Art” ka të theksuar identitetin e vet botues, kryesisht me botimin e shumë zhanreve letrare… Bazë e kriteriumit të botimit mbetet gjithmonë cilësia e një vepre letrare të akëcilit zhanër…

Shqip.com: Cili është parimi bazë i shtëpisë botuese “Rugova Art”?

Naim Kelmendi: Pra, parim bazë mbetet kriteri i vlerësimit të një vepre si prurje letrare mbi cilësinë e saj dhe nivel i shkrimit, qoftë ne zhanrin e poezisë, të prozës, kritikës, publicistikës etj.

Shqip.com: Deri me tani keni publikuar dhe botuar shumë tituj, me çka identifikoheni më shumë si shtëpi botuese?

Naim Kelmendi: Po, është e vërtetë, shtëpia botuese “Rugova Art”, në veprimtarinë e saj botuese, përgjatë këtyre viteve të veprimtarisë, zaten ka botuar shumë tituj, shumë vepra zhanresh të ndryshme, por në të shumtën kryesojnë veprat e poezisë, pastaj vjen publicistika e kështu me radhë, por nuk mbeten anash as proza dhe veprat që zgjojnë interesin e lexuesit.

Shqip.com: Ju merrni pjesë si shtëpi botuese në panaire të ndryshme. Sa mendoni si botues dhe shkrimtar se është prezantuar letërsia shqipe jashtë kufijve shqiptarë?

Naim Kelmendi: Mendoj, nga përshtypja ime, letërsia shqipe nuk është prezantuar jashtë kufijve gjithaq në vlerat e saj dhe në të vërtetat e saj. Dukshëm janë përthyer e prezantuar vlera mbase edhe mediokre, duke qenë preferenca të atyre që kanë gjetur mundësi dhe rrugë tjera të prezantimit. Emra dhe vlera të shënuara në arealin e letërsisë kombëtare në të shumtën kanë si një “anatemim” që të mos përkthehen në gjuhët tjera, ngase këtë “anatemim” ua mveshin pikërisht  ata që gjejnë rrugë dhe hyjnë përmes dyerve  të tjetërkujt, dhe vetëprezantojnë sipas preferencës së vet, vlera mediokre, duke “viktimizuar” ato të njëmendëtat, e që assesi nuk mungojnë në letërsinë tonë moderne.

Shqip.com: Po ashtu, si shkrimtar si e shiheni letërsinë shqipe në raport me letërsitë e vendeve tjera të rajonit dhe më gjerë?

Naim Kelmendi: Me atë çka krijohet në Kosovë apo në Shqipëri, ngase letërsia shqipe andej dhe këndej kufijve politik, është një dhe e pandarë, mendoj se përkon me standardet e letërsive evropiane dhe më gjerë.

Shqip.com: Çfarë ndikimi ka letërsia në shoqëri?

Naim Kelmendi: Letërsia, pra libri përgjithësisht, ka ndikim pozitiv të pakrahasueshëm në shoqëri, është identitet, kulturë dhe gjurmë e historisë dhe etnopsikologji, me një fjalë është identiteti dhe shpirti i një shoqërie.

Shqip.com: Ju i shkruani pothuajse të gjitha zhanret letrare. Ku ndiheni më mirë dhe pse?

Naim Kelmendi: Thënë të drejtën në krijimtarinë time poetike të shkruar, janë mbi 30 vepra autoriale të botuara tash e 40 vite, në këtë prodhim letrar kryeson poezia. Poezia ka qenë vokacioni im krijues. Kjo mbetet kështu edhe më tutje, derisa të krijoj e të prodhoj poetikisht.

Shqip.com: Jetojmë në një kohë ku shkruhet shumë e përshtypja është se lexohet pak. A mendoni se duhet të bëhet një filtrim dhe të merren organet përgjegjëse me seriozisht me këtë gjë? (fjala është edhe të botuesit që të merren me seriozisht, ku sot çdo kush mund të botoj pa ndonjë kriter të vlerësimit).

Naim Kelmendi: Këtu na vjen në ndihmë një mendim i Faik Konicës, i cili shprehej përafërsisht kështu: s’ka gjë të keqe nëse botohen libra çdo ditë, ato që janë vlera të dyshimta do i shkelë koha, ato që përmbajnë vlera të njëmendet, peshën e tyre s’e bartin dot as shekujt.

/Shqip.com