Kulturë

Intervistë / Gëzim Aliu: E vërteta e letërsisë është arti

Gëzim Aliu / Shkrimtar, studiues dhe përkthyes
Gëzim Aliu / Shkrimtar, studiues dhe përkthyes

Shkrimtari, studiuesi i letërsisë, eseisti dhe doktori i shkencave në letërsi, Gëzim Aliu, është emër tashmë i njohur për lexuesin, sidomos për romanet e tij.

Qysh në vitin 2009 i është dhënë Çmimi Kombëtar për romanin e tij Në Klubin e të shëmtuarve.

Është ndër veprat e para letrare në Kosovë që shpërfillë totalisht ideologjinë nacionale që e shquan përgjithësisht prozën shqipe.

Proza e tij trajton tema shumë të rëndësishme, si në aspektin psikologjik, filozofik edhe social. Aliu, me veprat e tij, i dha zë të veçantë prozës shqipe dhe njëherësh i dha zë të pathënshmes.

Gëzim Aliu është shkrimtar që i njeh mirë teknikat e shkrimit dhe të rrëfimit. Ndaj, vepra e tij në prozë, e gjuhës së bukur dhe të pasur, arrin në majat e kreativitetit letrar artistik.

Në këtë intervistë, shkrimtari Gëzim Aliu flet për kohën që e ndanë si shkrimtar, studiues letërsie, eseist e përkthyes tekstesh nga gjuhët e huaja. Pastaj, rrëfen për fiksionin në letërsi, për lexuesin e sotëm, për të vërtetën në letërsi, për letërsinë shqipe në përgjithësi, si dhe në raport me vetveten dhe me atë ndërkombëtaren dhe jo vetëm.

Shqip.com: Po e nisim këtë intervistë fare thjeshtë: Ju jeni shkrimtar, studiues i letërsisë, eseist, kohë pas kohe edhe përktheni tekste nga gjuhë të huaja. Si e ndani kohën apo më mirë të themi si mund ta përshkruani një ditë tuajën?

Gëzim Aliu: Dita ime nis relativisht herët. Ka disa vite, ndoshta po bëhet një dekadë, kur jam më produktiv paradite. Më herët ishte e kundërta. Pse ky ndryshim, e kam menduar dhe sigurisht lidhet me punën në Institutin Albanologjik, Degën e Letërsisë. Dita ime plotësohet edhe pasdite, shpesh edhe deri pasdite vonë e në mbrëmje. Prozë artistike shkruaj zakonisht në mëngjes herët, më duket sikur përqendrimi i energjisë për të krijuar botë të reja, është shumë më i madh në fillim të ditës. Pastaj, vazhdoj me lexim, hulumtim, studim, e kështu me radhë.

Shqip.com: Është një jetë intensive…

Gëzim Aliu: Është, po, mund të thuhet, por unë e përjetoj si kënaqësi edhe njerëzore, edhe intelektuale, sepse e bëj punën që dua. Pjesë e punës, madje shumë e rëndësishme, është edhe të menduarit për punën që bëj. Të menduarit e hollësishëm.

Shqip.com: Realiteti dhe fiksioni. Si ia dilni ta ndërtoni në libër këtë raport kaq delikat, ç’është e vërteta?

Gëzim Aliu: Keni prekur një temë të ndjeshme dhe të rëndësishme: Përshndërrimi i realitetit në fiksion. E dini, edhe nëse shkruaj në detaje për një ngjarje që vërtet ka ndodhur, kur preket nga arti i të rrëfyerit, bëhet fiksion. Në letërsi asgjë nuk është reale siç është në jetë, këtë besoj e di dhe e ndien gjithkush, me mendje dhe me intuitë. Një krahasim me fotografinë: As fotografia nuk paraqet realitetin. Madje, as atë që quhet ngrirje e një cope jete. Me kohë, kjo copë e ngrirë do të zbehet e do të zhduket. Vetë realiteti, ky që tashmë e shohim përpara, është i zhdukshëm, i ndryshueshëm, i shndërrueshëm, i pandalshëm, vazhdimisht i perceptuar, i përjetuar përmes shqisave, pa asnjë mundësi të prekjes së drejtpërdrejtë, sado që ne vazhdimisht e kemi përshtypjen se kemi interaktivitet të drejtpërdrejtë me të, por kjo është temë tjetër, të kthehemi në “realitet”. Është një thënie për fotografinë: Një fotografi sa një mijë fjalë. Por, mund ta kthejmë edhe mbrapsht: Një fotografi sa një mijë rrena. Fiksioni letrar nuk është rrenë, pos kur përdoret për propagandë, qëllime jashtë letrare, poza estradeske e gjëra të tilla, çfarë edhe mund të ndodhë.
Fiksioni letrar artistik është realitet tjetër, që zbulon të vërteta jetësore të mëdha për njeriun e jetën e botën. Derisa nuk kemi asnjë mundësi të kthehemi në realitetin që posa u zhduk, në ngjarjet që na kanë ndodhur, në historitë që kemi përjetuar, edhe nëse ‘dëshmohen’ me mijëra e mijëra fotografi e video, në realitetin e prozës artistike mund të futemi e të kthehemi në të kaluarën e personazheve posa e fillojmë leximin e një historie të caktuar. Bukur, apo jo?

Shqip.com: Proza juaj trajton tema shumë të rëndësishme, si në aspektin psikologjik, filozofik, edhe social, por edhe të një rendi se kah janë duke shkuar individi e shoqëria tani…

Gëzim Aliu: Janë temat universale, por natyrisht të bartura nga njeriu ynë, shoqëria jonë, janë përjetimet tona, ëndrrat e dhembjet tona, të këtij vendi, të kësaj hapësire. Natyrisht, të gjitha të prekura, të trajtuara, të “bluara” nga arti i fjalës, fiksioni, mjetet e prozës artistike. Mendoj se gjendja shpirtërore, psikologjike, habia e hutia e njeriut me ekzistencën, rastësia e të gjendurit në një shoqëri të caktuar (por zakonisht rastësi e pakuptuar si e tillë), planet, pakënaqësitë, kërkimi i lumturisë, dashuria, vdekja, jeta, janë tema që po dite t’i trajtosh, japin gjithnjë romane që mund t’i tërheqin lexuesit të përfshihen në botën e rrëfyer.

Shqip.com: Në vazhdën e pyetjes së mësipërme, meqë përmende lexuesit, çfarë mendoni për lexuesin e sotëm?

Gëzim Aliu: Njerëzit janë krijesa pamore-dëgjimore, shumicën e gjërave në botë i mësojnë përmes të parit e të dëgjuarit. Nuk ekziston gjeni i të lexuarit, i të folurit po. Njeriut i duhen shumë vite shkollim derisa të arrijë të lexojë e të kuptojë atë që lexon. Njeriut, për të folur qartë i duhen diku një ose dy vjet. Që nga masivizimi i botimit të librave, disa shekuj më herët, niveli i shkrim-leximit në botë, kryesisht në Evropë, është rritur pandërprerë, librat e posabotuar kanë qenë shumë të kërkuar, jo vetëm si mundësi përparimi intelektual, shkollimi, por edhe si argëtim. Me shpikjen e televizorit, ka filluar epoka e pamjeve, që tash është përforcuar së tepërmi nga interneti, videot disaminutëshe, storiet e ndryshme mediale, rrjetet sociale. Të lexuarit ka pësuar goditje tkurrëse. Më lehtë është të shikohet një storie për Homerin, se të lexohet një shkrim për të. Më lehtë është të shikohet një film për Trojën, se të lexohet “Iliada”. Duke qenë se ne jemi krijesa vizuale-dëgjimore, preferojmë filmin në vend të leximit. Leximi do përqendrim, do kohë, do përfshirje totale. Duke qenë se njeriu kërkon vetëm lehtësi, në gjithçka, madje edhe në përgatitje e ngrënie ushqimi, është zhytur fort në mjetet që ofrojnë pamje e zë. Të shikuarit e të dëgjuarit po e kthen edhe një herë kohën e oralitetit që ka sunduar kulturën njerëzore me mileniume të tëra. Është duke u zhvilluar një lloj argëtimi kolektiv, i përbërë nga pjesë të ndryshme, të çuditshme, një shkrirje e hatashme elementesh artistike, mjetesh teknike, snobizmash, tallavaje, estrade, aktrimi, performance, pikture, muzike, valleje, skenografie, kostumografie. Është një sinkretizëm i paparë, ndërmjetësuar nga ekranet e kudogjendshme. E kemi të lehtë të zhytemi në këtë botë, vetëm e hapim telefonin personal dhe ja, fillon kënaqësia e syrit dhe e veshit. Truri bie në gjysmë-gjumë. Edhe të lexuarit është integruar disi, disi keq, është bërë shumë periferik. E keni parë, njerëzit po i lexojnë më shumë titujt dhe pak tekst informues për një çështje të caktuar. Mediat e shkruara (te ne vetëm online), kanë filluar t’i përshtatet kësaj kërkese; tekstet duhet të jetë sa më të shkurtra.
Si rrjedhojë, në epokën e shikim-dëgjimit librat lexohen pak, gjithkund në botë. Te ne, që kemi pasur gjithnjë problem me të lexuarit, meqë shoqëria jonë është më shumë shoqëri e fjalës së folur, sesa shoqëri e fjalës së shkruar, të lexuarit e librit është tkurrur në qindra lexues të thellë. Lexues sipërfaqësorë ka më tepër se qindra. Lexues titrash të telenovelave ka me mijëra. Edhe të statuseve në rrjetet sociale.

Shqip.com: Mendoni se letërsia ka “një të vërtetë”? Nëse po, cila është ajo?

Gëzim Aliu: E vërteta e letërsisë është arti. Bishtat që i ngjiten e i hiqen, duke filluar nga ideologjitë e deri te qëndrimet personale autoriale, të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, po nuk u shkrinë siç duhet në një tërësi të baraspeshuar sot me synim përjetësinë dhe kjo do mjeshtëri, talent, të menduar, do të mbesin të tillë, bishta që nuk do ta kapërcejnë kohën kur janë shkruar e botuar dhe kjo u ka ngjarë shumicës së librave që janë shkruar e botuar.

Shqip.com: Pos shkrimtar, studiues, jeni një ndër zërat me produktivë të kritikës së sotme letrare dhe vazhdoni të mbeteni i tillë, ndërkohë që sot nuk ekziston një institucion i kritikës letrare. Si e shihni letërsinë pa kritikë?

Gëzim Aliu: Shkruaj kohë pas kohe për ndonjë libër që me të vërtetë më pëlqen, që më bën të mendoj. Kohëve të fundit, përshtypje të thella më lënë pak libra, e them pa modesti që po më përfshiu një libër deri në fund, ai libër është me të vërtetë i mirë. Nëse nuk më përfshin, siç e thotë një shkrimtar i madh, nuk është për mua. Dhe, nuk kam qare pa shtuar: nëse nuk është i mirë për mua, ka mundësi që është libër i dobët.
Institucioni i kritikës nuk mund të ekzistojë i pavarur nga institucioni i gazetës, i mediave. Te ne nuk ka vend pune si recensent librash. Në botë ka. Shpallen përditë vende pune të vlerësuesve të librave. Këtu askush nuk paguan për këtë punë jo të lehtë. Gazetat online nuk kanë kritikë a recensentë të punësuar, televizionet nuk kanë, radiot nuk kanë. Si mendoni te keni ndarje të vlerave nga materialet e pafund që botohen si letërsi, pa profesionistët me pagë të mirë që dinë ta bëjnë këtë?!
Prandaj, edhe kemi shumë recensentë e kritikë që çdo libër e çojnë lart, meqë është kryesisht libri i dikujt që e njohin.

Shqip.com: Po letërsinë shqipe në përgjithësi, sot, si e shihni, në raport me vetveten dhe me atë ndërkombëtaren?

Gëzim Aliu: Letërsia shqipe është produkt i drejtpërdrejtë i zhvillimeve dramatike e shpesh tragjike historike, politike, ekonomike, sociale, të popullit shqiptar. Shpesh del thjesht shtojcë e kontekstit. Në shumicën e kohës është ideologjia që i paraprin estetikës. Tash kur rrethanat janë shumë më të favorshme se më parë, kemi tkurrje të madhe lexuesish. Pra, të shkruarit e të botuarit e letërsisë shqipe po bëhet në kushte jo edhe shumë të favorshme. Megjithatë, letërsia shqipe është letërsi e një vargu autorësh të mirë dhe veprash cilësore. Në raport me letërsinë evropiane e botërore mendoj se nuk duhet të ndihet inferiore. Por, në masë të madhe, të dhembshme, është e pazbuluar për lexuesit e huaj.
Bota është e madhe dhe letërsia botërore është e gjuhëve të popujve të mëdhenj, të zhvilluar dhe që ndikojnë në histori e kulturë, ekonomi e shoqëri, sot e në të ardhmen dhe depërtimi i letërsive të gjuhëve të vogla është jashtëzakonisht i vështirë në këtë botë; edhe kur arrihet, është jashtëzakonisht jetëshkurtër. Të rrallë janë shkrimtarët e gjuhëve të popujve të vegjël që arrijnë të depërtojnë dhe të vazhdojnë të jenë të pranishëm te lexuesit e hapësirave kulturore evropiane e botërore.

Shqip.com: Në këtë kontekst, si dikush që merret tërësisht me librin, nga të gjitha pikëpamjet e mundshme, si e shihni gjendjen e tij sot?

Gëzim Aliu: Libra botohen shumë, të të gjitha fushave të aktiviteteve njerëzore. Dhe, mirë që botohen. Lexuesit nuk kërkojnë vetëm letërsinë, këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë ata e ato që shkruajnë letërsi. Shkrimtarët e shkrimtaret sikur e kanë një mendim, që mund të jetë iluzion, që lexuesi duhet të lexojë vetëm letërsi artistike, mundësisht sa më shumë vjersha e poezi, sepse te ne libra me vjersha e poezi botohen më së shumti. Lexuesit e mirë lexojnë, pos letërsi të bukur artistike, edhe libra të historisë, lexojnë libra psikologjikë e sociologjikë, lexojnë libra shkencorë. Lexuesi i tillë është lexuesi më i mirë. Prandaj edhe botuesit e kanë hetuar këtë dhe kohëve të fundit po botojnë tituj të ndryshëm, shpesh shumë interesantë. Këta libra edhe mund të ndikojnë për mirë në ngritjen e nivelit të leximit, kështu të kulturës, mund të ndikojnë në formimin intelektual, rrjedhimisht edhe në kërkesën e shtuar për libra të mirë të letërsisë artistike. Njeriu gjithnjë kthehet te arti i fjalës, kërkon rrëfime, është në natyrën njerëzore kjo. Brenda kapakëve të librit, lexuesi e kërkon veten, jo veten personale, por veten njerëzore, e kërkon njeriun, dhe e gjen, për jetë e mot, në librat e shkrimtarëve të mirë, të tashmëve dhe te klasikët.

Shqip.com: Ke fituar shumë çmime përgjatë viteve. Cili është qëndrimi yt përballë tyre?

Gëzim Aliu: Çmimet janë vlerësim i tashëm i krijimtarisë së një shkrimtari të caktuar. Natyrisht që është ndjenjë e mirë të vlerësohesh nga bashkëkohanikët tu, sidomos kur janë profesionistë, siç mund të jenë anëtarët e një jurie të caktuar. Megjithatë, plotësimin e vlerësimit e bën domosdo e pashmangshëm lexuesi i sotëm dhe i ardhshëm. Ka shkrimtarë që janë vlerësuar me të gjitha çmimet e mundshme sa kanë qenë gjallë dhe sot janë të harruar. Epo, koha shkërmoq e bën rrafsh shumë gjëra. Jetoftë koha që herr e dëlirë e qartëson gjithçka! Kushdo që mendon të shkruajë vetëm për sot, vetëm për një trohë famë, vetëm për një trohë vëmendje, meqë kjo është kohë e famës boshe dhe vëmendjes 5-minutëshe, nuk e di çka do të thotë Lëvizje e Kohës. Nuk e njeh tmerrin e fuqisë së saj. Nuk e njeh bukurinë e saj sublime. Nuk i njeh qeniet që nxjerr nga zhurma e së tashmes dhe i skalit në përjetësi.
Shkrimtarët që nuk mendojnë për Kohën, janë njerëzit më të lumtur. Të jesh i lumtur dhe njëkohësisht shkrimtar është paradoksale, por, ja që ka shumë të tillë. Por, çfarë do të bënin lulet e frutat pa gjethet e shumta?!

Shqip.com: Dhe në fund, si përherë, një pyetje që duket paska si klishe, por e pashmangshme: Çfarë jeni duke punuar?

Gëzim Aliu: Jam duke punuar në disa projekte. Kam një libër me tregime që e kam nisur para disa vitesh dhe nuk e di kur do të përfundojë, disa ide e skica kanë marrë formë pothuajse përfundimtare, së paku ky është mendimi im i tashpërtashëm, disa ide e skica e shënime të tjera që kam bërë, kushedi a rriten në tregime, kushedi a bëhen të gjalla, të lëvizshme, të pavarura, ashtu që të botohen dikur. Do të duhet t’i kthehem një dorëshkrimi romani, është draft i parë i shkruar para nja tre vjetësh, por që, kur të bëhet gati për botim, natyrisht nëse bëhet, nëse merr frymë të plotë nga shpirti, mendja dhe ndjenja ime, mund të jetë i ndryshëm deri në nëntëdhjetë për qind nga gjendja e tanishme fillestare. Kjo punë e ka kështu. Jam duke punuar në projektin e punës në Institut. Natyrisht, lexime, lexime dhe të menduarit, të menduarit për atë që bëj, që shkruaj, që skicoj. Pos këtyre, janë edhe punimet studimore, botimet në revista e vëllime të ndryshme, shkrimet për libra të ndryshëm që më lënë përshtypje, konferencat shkencore etj.

/Shqip.com