Lajme

Interi kalon Barçën dhe shkon në finale të Champion, një përballje epike që do hyjë në historinë e futbollit

Interi ka shkruar një faqe të artë në historinë e Champions League, duke mposhtur Barcelonën me rezultatin spektakolar 4-3 pas kohës shtesë në “San Siro”, dhe 7-6 në total, në një nga gjysmëfinalet më dramatike ndonjëherë në këtë kompeticion.

Pas barazimit 3-3 në sfidën e parë, atmosfera elektrizuese në “San Siro” shpërtheu kur Federico Dimarco rrëmbeu topin nga Dani Olmo dhe shërbeu për Dumfries, i cili asistoi Lautaro Martínez për golin e parë. Pak para pjesës së parë, VAR dha një penallti të dyshimtë ndaj Barcelonës për një faull të Cubarsí ndaj Martínez. Çalhanoglu nuk gaboi dhe çoi Interin në avantazh 2-0.

Por Barça, e mësuar të rikthehet nga disavantazhi, nuk u dorëzua. Eric García shënoi një gol të bukur me vole dhe më pas Olmo barazoi shifrat në total, pas një krosimi të saktë nga Martín. Raphinha përmbysi gjithçka në minutën e 88-të, duke bërë që katalanasit të ëndërronin finalen.

Por Acerbi i zgjoi brutalisht me golin e barazimit për Interin në minutën e fundit.

Në kohën shtesë, Frattesi shënoi golin vendimtar pas një aksioni perfekt nga Taremi dhe Thuram. Interi mbrojti epërsinë me heroizëm, ndërsa Barcelona largohet me dhimbje nga turneu.

Tani, Simone Inzaghi dhe skuadra e tij do të përballen në finale ndaj fituesit të Arsenal–PSG më 31 maj në Mynih.

/Shqip.com