Instituti Arkeologjik do të kërkojë ndihmë nga UNESCO për artefaktet e “vjedhura” nga kompania serbe në Kalanë e Novobërdës

Që kur kanë filluar punimet në Kalanë e Novobërdës nga kompania e Beogradit “Koto”, projekti ka krijuar një sërë paqartësish.
Punime këto që e shtynë situatën në një drejtim krejt tjetër, duke dëmtuar dhe mbyllur dyert e Kalasë.
Sikur kjo të mos mjaftonte, hulumtimi shkencor i publikuar nga “Journal of Archaeological Science”, tregon për marrjen e disa mostrave organike nga Kalaja gjatë kohës së punimeve.
Hulumtimi i titulluar “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)” (Lëkura e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani nga Kalaja e Mesjetës së Vonë e Novobërdës (Ballkani Qendror), vë dyshime se këto gjetje janë marrë në mënyrë ilegale nga arkeologu i kompanisë “Koto”.
“Gjatë gërmimeve arkeologjike u zbulua një grup unik i përbërë nga lëkura e mumifikuar e kafshëve me qime të ruajtura, e mbushur me material rrëshirë dhe katran në Kalanë e Novobërdës në vitin 2015”, thuhet në hulumtim.
Sipas hulumtimit, gjetjet fillimisht iu nënshtruan analizës makroskopike, e cila më pas përfshinte vëzhgime mbi metodën e heqjes së lëkurës dhe detajet e përdorimit.
Nga këto analiza, thuhet se mostrat mund të kenë origjinën nga një dele apo dhi, ndërkaq katrani i ruajtur në lëkurën e dhisë ka shumë të ngjarë të përdoret për strukturat e drurit apo edhe për qëllime të tjera, si lubrifikant për armët.
Ministria e Kulturës ende pa informacione të sakta
Ministria e Kulturës, e cila nuk është e sigurt se diçka e tillë ka ndodhur apo jo, thotë se është e rëndësishme që fillimisht të konfirmohet me saktësi dokumentare.
Tutje, MKRS thotë se nxjerrja e artefakteve apo mostrave jashtë territorit shtetëror që janë gjetur gjatë zbatimit të projektit të restaurimit të Kalasë së Novobërdës, është ilegale dhe nëse kjo rezulton të jetë e vërtetë duhet të ndjekin procedura ligjore.
“Gjithmonë në rast se kjo vërtetohet, atëherë, për MKRS–në kjo paraqet një vepër në shkelje të rëndë të përcaktimeve kushtetuese e ligjore me elemente të kryerjes së veprës penale “nxjerrje e pa autorizuar e objekteve kulturore” e dënueshme në bazë të dispozitave të kodit penal të Republikës së Kosovës, përveçse shkelje e Ligjit për Trashëgimi Kulturore”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së, për Shqip.com.
Më tej, ministria shton se do të shqyrtohet gjithashtu nëse kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës, ose mungesës së mbikëqyrjes nga institucionet që kanë qenë në detyrë.
Instituti Arkeologjik i Kosovës thotë se do të kërkojnë ndihmë nga UNCESCO
Ndërkaq, Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, i cili pas shqyrtimit të hulumtimit shkencor, kishte vlerësuar se gjetjet janë nga Kalaja e Novobërdës, thotë se mostrat mund të jenë marrë gjatë vitit 2015 ose 2016.
“Ne i kemi qëndruar gati aq sa kemi pasur mundësi, ato që janë lajmëruar janë dorëzuar dhe se hipotetikisht nuk mund të akuzojë askënd që janë vjedhur pa e vërtetuar”, tha Rexha për Shqip.com.
Tutje, ai tha se nëse diçka e tillë vërtetohet duhet të ndërmerren procedurat ligjore përmes UNESCO-s dhe duhet të kërkohet kthimi i tyre në Kosovë.
“Ne do të punojmë në mënyrë ligjore dhe do të kërkojmë nga zyra ligjore dhe do t’i ndjekim organizmat, hap pas hapi do të arrijmë në rezultat”, shtoi tutje Rexha.
Kompania e cila u përzgjedh nga UNESCO, kishte për detyrë vetëm pastrimin, konservimin si dhe restaurimin, e në marrëveshje nuk përfshihet marrja e asnjë gjetje.
Punimet në Kala janë ndërprerë që nga viti 2019, ndërkaq gjendja e Kalasë së Novobërdës vazhdon të mbetet e rëndë.
Shqip.com në vazhdimësi ka raportuar për ngecjet në renovimin e kalasë. Në lajmin me titull “Kalaja e Novobërdës në pritje për renovim nga viti 2019”, është raportuar se MKRS, në vitin 2019 kishte bërë kallëzim penal, ndaj kompanisë së Beogradit “Koto”, me pretendimet se kanë kryer vepër penale, për dëmtimin dhe shkatërrimin e mureve të saj./Shqip.com