Lajme

IKSHPK apel qytetarëve për kujdes ndaj gripit sezonal, për mbi një muaj u regjistruan rreth 10 mijë raste

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka kërkuar kujdes nga qytetarët ndaj gripit sezonal, përcjell Shqip.com.

Përmes njoftimit, IKSHPK ka bërë të ditur se nga 1 tetori deri më 9 dhjetor, janë regjistruar nëntë mijë e 788 raste të gripit sezonal.

“Gripi sezonal po shton intensitetin! Edhe pse gripi sezonal akoma nuk ka arritur pragun epidemik, vërehet një intensitet i shtuar i rasteve me grip sezonal. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë tërë vitit bën mbikëqyrjen permanente të Influencës sezonale me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës përkatëse tetor-maj.

Prej 01 tetor 2021 deri më 09 dhjetor 2021 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 9.788 raste të Sëmundjes të ngjashme me Grip, 2.033 raste Infeksione respiratore akute dhe 57 raste me Infeksion të rëndë respirator akut”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Sipas IKSHPK-së, në laboratoret e Qendrës Kombëtare të gripit është identifikuar tipi “A” i gripit sezonal, subtipi H3, që gjendet në komponentën e vaksinës së gripit e cila mbron personat e vaksinuar.

“Në laboratoret e Qendrës kombëtare të gripit është identifkuar tipi A i gripit sezonal, subtipi H3, i cili gjendet në komponenten e vaksinës së gripit e cila mbron personat e vaksinuar. Gjatë 24 orëve të fundit  në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale janë hospitalizuar 6 raste me infeksione akute respiratore.    

Instituti Kombëtar apelon te të gjithë Drejtorët Komunal të Shëndetësisë të ngritet niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë”, njofton tutje Instituti.

Andaj, për t’iu shmangur infektimit me grip sezonal, IKSHPK ka treguar mënyrën se si mund të mbrohen qytetarët nga ky grip.

“Si të mbroni veten dhe të tjerët: *Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!, *Nëse keni shenja të gripit, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore!, *Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale). *Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz! *Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën 1 metër prej njerëzve!

*Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes! *Hidhni faculetën menjëherë pas përdorimit në shportën e mbeturinave! *Shmangni prekjen e syve hundës apo gojës me duar të pa pastruara! *Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi! * Shmangni përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeteni! * Pastroni rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektoni ambientin ku  qëndroni! * Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik!”, tregon IKSHPK./SHQIP.com