Kulturë

Ibrahim Kadriu / Përshtypje nga leximi i dorëshkrimit të Xhevat Sylës “Kënaqësia e leximit”

“Kënaqësia e leximit”, libri më i ri i Xhevat Sylës
“Kënaqësia e leximit”, libri më i ri i Xhevat Sylës

Shpalime mbresash e kujtimesh

Shkruan: Ibrahim Kadriu

Libri më i ri i Xhevat Sylës, me titull “Kënaqësia e leximit – autorë dhe libra”, na ofrohet si tërësi mendimesh në disa fusha krijimesh mbi kontributet e autorëve të ndryshëm, të cilët falë angazhimit të tyre permanent janë bërë emra të njohur të realitetit tonë letrar. Bëhet fjalë për ata autorë librat e të cilëve kanë nxitur kureshtjen e lexuesit me format e shkrimit dhe me përmbajtjet në veçanti dhe që kanë ndikuar në marrjen e epitetit i pëlqyeshëm. Përvojën prej shkrimtari, studiuesi, redaktori, recensenti dhe eseisti Xhevat Syla e ka çuar më tej përmes vlerësimit të veprave dhe zhvillimeve letrare, si dhe portretizimit të autorëve që i merr në shqyrtim në këtë libër që, besoj, do t’i ketë lexuesit e vet.

Që në fillim Xhevat Syla shkruan për figurën e Skënderbeut të paraqitur në poezinë tonë për fëmijë. Ai merr në shqyrtim vargje e libra poetikë të autorëve të ndryshëm të cilët kanë shkruar për kryetrimin tonë legjendar. Cytje për këtë shkrim autori ka 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, gjegjësisht angazhimin e shumë shkrimtarëve për të shprehur heroizmin e heroit kombëtar në periudhën e gjatë të qëndresës ndaj sulmeve të vazhdueshme turke. Këtë e mbështet në shembuj konkretë të krijimeve poetike (vjersha e poema) jo vetëm të autorëve nga Kosova, por përgjithësisht nga krijimtaria letrare shqipe për fëmijë. Në këtë shkrim lexuesi do të gjejë edhe entuziazmin e përgjithshëm kombëtar që ndikoi në frymëzimin e shumë poetëve për të paraqitur dhe përjetësuar figurën e Skënderbeut. Duke u marrë me këtë temë, mund të thuhet se Xhevat Syla ka realizuar një shkrim të karakterit enciklopedik me prezantimin dhe shqyrtimin e shkrimeve të aq shumë krijuesve që temë kanë këtë personazh të lavdishëm të historisë sonë kombëtare.

Xhevat Syla, poet, shkrimtar, studiues

Shkrim mjaft mbresëlënës në këtë libër është ai për-mes të cilit rrumbullakohet portretizimi poetik i shkrimtarit të shquar Xhevat Beqaraj, i cili me stilin e tij të veçantë në shkrimin e poezisë ka lënë dhe do të lërë mbresa te secili lexues, qoftë ai i moshës fëmijërore apo i moshës së rritur. Sipas Xhevat Sylës, emri i këtij krijuesi radhitet në mesin e shkrimtarëve më të çmuar të letërsisë së përgjithshme shqipe. Këtë mendim ai e dëshmon me vargje e strofa të ndryshme, të shkruara në periudha të ndryshme kohore, nga fundi i viteve të pesëdhjetë e tutje. Qasja e Xhevat Sylës shqyrtimit të poezisë në dy librat më të rinj të Xhevat Beqarajt bëhet me përkushtim të veçantë, me komentime e interpretime, por edhe me një ndjenjë emocionale ndaj poetit dhe poezisë së tij, përkatësisht ndaj bukurisë së rrëfimit poetik. Kjo qasje e bën shkrimin tërheqës. Ndër të tjera, autori Xhevat Syla shkruan edhe për takimet e tij me poetin, të cilat përshkruhen me ndjesi dhe krijojnë rrugë afrie me lexuesin. Xhevat Syla poetin Xhevat Beqaraj e vlerëson si krijues eminent për fëmijë. Këtë e argumenton me vargje e strofa, të cilat njëherësh shprehin botën e interesimeve dhe të preokupimeve të tij në periudha të ndryshme kohore e shoqërore. Duke vënë në spikamë edhe figuracionin e bollshëm dhe të qëlluar të Beqarajt, Xhevat Syla, në raste, ofron edhe interpretime që, në realitet, i bëjnë më të kuptueshëm vargjet e poetit ose shpjegon apo hamendëson pse disa poezi të këtyre librave nuk janë përfshirë në librat e ti të mëparshëm me poezi për fëmijë.

Më tutje vazhdon preokupimi i autorit me krijues të tjerë ose me libra të tyre, siç është shkrimi për librin me tregime të Skënder Haskos “Rrëfimet e rrugës”, pastaj shkrimi për Fjalorin e autorëve Astrit Bishqemi e Migena Arllati “Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj 1886-2017”, që është një kontribut i rëndësishëm në fushën e studimit të letërsisë sonë për fëmijë. Po ashtu, me interes janë edhe shkrimet për librat e autorëve të letërsisë sonë për fëmijë, si Fatmir Gjestila (Edhe pëllumbat qajnë), Skënder Zogaj (Principata ime), Maxhun Osmanaj (Si troket vjeshta), si dhe shkrimet në të cilat autori shpalos çështje dhe probleme te zhvillimit të letërsisë sonë për fëmijë (intervista në gazetën Nacional) vlerësimi i literaturës për parashkollorë me theks në mungesën e saj te ne e të tjera.

Xhevat Syla – “Kënaqësia e leximit – autorë dhe libra”

Në pjesën e dytë të librit, në të cilën autori përfshin disa shkrime për autorë për të rritur, jepet një shkrim për figurën e Ibrahim Rugovës në 16 vjetorin e vdekjes, si dhe shkrimi për librin e Rrustem Rugovës “Fëmijëria dhe rinia e Ibrahim Rugovës”, në të cilin ndriçohet një pjesë më pak e njohur e jetës së këtij personaliteti të shquar.  Pasojnë shkrimet për librat e Ibrahim Kadriut “Agimi i lirisë” në tri vëllime, kushtuar heroit Agim Ramadani, “Buzëqeshje miqsh” – shkrime për figura të ndryshme të kulturës te ne, si dhe shkrimi për romanin “Varri i shitur në Damask”, i cili me përmbajtjen që shtjellon del të ketë një rëndësi të veçantë edhe për autorin e këtij shkrimi. Në këtë kaptinë jepen edhe shkrimet si: parathënia e botimit të nëntë të librit të Ali Podrimjes “Lum Lumi”, botuar me rastin e 30-vjetorit të botimit të parë, shkrimi “Arritje në rrënjë” për librin me poezi të Hasan Hasanit “Mirditë e Mirditorë” etj.

Me interes janë edhe shkrimet e përfshira në kaptinën Kujtime e vlerësime, si: Lamtumira Rexhep Hoxhës, Vehbi Kikaj – krenaria e dhembja jonë, Vrasja dhe masakrimi i shkrimtarit Ymer Elshani…, Shprushje malli (për Agim Devën), Shkrimtari që shkëlqeu në shkrimin e prozës – Arif Demolli, për të cilin gjithashtu bëhet me dije se është autor edhe i dorëshkrimit “Martesa e breshkave” dhe shkrimi “Njohje e mëtejshme e universit letrar të Abdullah Thaçit”.

Në fund të librit, janë edhe dy përkujtime, njëri për vëllain Fazli Syla, ku autori Xhevat Syla shkruan si e pranoi kumtin për shkuarjen e tij në amshim, duke dhënë me pak fjalë edhe kontributin e tij në zhvillimin e arsimit, të shkencës dhe kulturës në Kosovë, shoqëruar edhe me ndonjë vlerësim të miqve dhe kolegëve të tij për të. Ndërkaq shkrimi i dytë përkujtues i kushtohet mikut e bashkëpunëtorit të tij në kohë të vështira, Agim Llukës të Korporatës “Dukagjini”, më të cilin ka bashkëpunuar për botimin e teksteve shkollore në kulmin e aparteidit të pushtetit okupues serb në Kosovë. Të dy këto shkrime janë të shkruara me emocion dhe shpalosin shkurt edhe raportin e autorit me ta, duke vënë në pah edhe disa kontribute të tyre në fusha të caktuara të zhvillimit tonë.

/Shqip.com