Kulturë

“I rrethuar nga bota, por jo në botë. Nganjëherë kjo shtonte ankthin tim”

I njohur si ndër dramaturgët më të rëndësishëm të shekullit të XX.

Eugène Ionesco, ishte një nga dramaturgët më të shquar të “Teatrit të Absurdit”.

Ionesko, shkrimin e dramave e filloi pothuajse rastësisht, pasi kishte vendosur të mësonte gjuhën angleze, ai u godit nga zbrazëtia e klisheve të bisedës së përditshme që shfaqeshin në librin e tij të frazave.

Nga këto fjali të pakuptimta ai ndërtoi dramën e tij të parë, “Sopranoja tullac” e cila satirizon afatin dhe idiotizmin e jetës së përditshme të një shoqërie borgjeze të ngrirë në formalitete të pakuptimta.

I frymëzuar nga kjo Ionesko, filloi karrierën më pas si shkrimtar, kryesisht, shkruante tragjedi, e karakterizohej me vepra që ndërthurnin atmosferë ëndrrash apo ankthi.

Në shkrimet e tij, Ionesko, tregon zhgënjimet e tij si një dramaturg që përpiqet të përcjellë përvojën e tij jetësore në një turmë karrigesh bosh me ndërmjetësimin e aktorëve që nuk e kuptojnë mesazhin e tij.

Ai, mbetet ndër dramaturgët më të njohur si në Francë e më gjerë.

Më poshtë, për lexuesit e Shqip.com, gjeni fragmente nga “Vetmitari”, i Eugène Ionesco.

Dhe pastaj, përnjëherësh, papritmas si çdo herë ajo hidhet mbi mua, sa hap e mbyll sytë, ideja se do të vdes. Nuk duhet të kem frikë nga vdekja përderisa nuk e di se ç ‘është dhe, pastaj, a nuk kam thënë se duhet te nënshtrohem? E kotë. Kërcej jashtë shtratit, me ka pushtuar një frikë e madhe, e lemerishme, ndez dritën, vrapoj në dhomë nga njeri cep tek tjetri, shkoj deri në dhomën e ndenjes, ndez dritën. Nuk mund të rri shtrirë, as ulur, as në këmbë pa lëvizur. Atëherë lëviz, lëviz, vërtitem në tërë shtëpinë, ndez kudo dritat dhe vrapoj, vrapoj. Miliarda qenie përjetojnë të njëjtin ankth. Perse veprojmë në këtë mënyrë?

Isha në botë tashmë, dhe po vetëdijesohesha për këtë si të ishte hera e parë. Doja të gjeja atë gjë të çuditshme të botës që më ndodhte ta kapja ndonjëherë. Ishte njëlloj si të ndodhesh në një shfaqje, domethënë sikur vetë isha i tërhequr, sikur isha i mënjanuar, i distancuar, duke mos marrë më pjesë, duke mos qenë me ai aktor ose ai figurant që jam, që jemi zakonisht, për hir te zakonit.

I rrethuar nga bota, por jo në botë. Nganjëherë kjo shtonte ankthin tim, por shpesh bënte të kundërtën, e zhdukte atë. Nuk kishte më asnjë gjykim te pavullnetshëm dhe te përhershëm, përderisa na duket vazhdimisht sikur kjo makinë universale dhe këta njerëz dhe këto rrugë dhe këto lëvizje janë të bukura apo te shëmtuara, të mira apo të këqija, të përshtatshme apo të papërshtatshme, të rrezikshme apo të sigurta.

Ose një asnjanësi estetike. “Ata” nuk ishin të ngjashmit me mua, mundohesha të mos i kuptoja më fjalët që shqiptonin njerëzit në restorant. Kështu, gjithçka ishte veçse zhurmë, tinguj të një gjuhe të huaj.

Gjithçka bëhej, duke qenë vetëm shfaqje fluturake, një lloj iluzioni i hiçit. Të tjerët kalonin në rrugë, në një lloj rruge, në një lloj hapësire, për herë të parë dhe të fundit. Vetëm unë ekzistoja me të vërtetë.

Rrugët ua linin vendin rrugëve, të gjitha ishin te ngjashme, edhe njerëzit ishin po ashtu të ngjashëm. Me dhjetëra mijëra njerëz që i ngjanin njëri tjetrit, ata nxitonin, të gjithë ecnin të vendosur, si të kishin një qëllim të përcaktuar, të saktë. Ngjanin si rrugë të populluara nga qentë. Aty kishte vetëm qenë që vraponin me një pamje të tillë si ta dinin ku shkonin.