Lajme

I pavërejtur nga Kuvendi, por Hoti punën milionëshe të jashtëligjshme s’e bën fshehur

Anëtari i Bordit të ZRRE-së dhe pronari i kompanisë 'Electra Sh.P.K' - Selman Hoti

Për tri vjet me radhë, anëtari i Bordit të ZRRE-së njëherësh edhe pronar i kompanisë ‘ELECTRA SH.P.K”, Selman Hoti, nuk është vërejtur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që është në konflikt të thellë interesi për punën që bën.

Ai vazhdon në pozitën e tij prej pjesëtari në bord dhe kryen punë milionëshe për KEDS-in me kompaninë e tij “ELECTRA”.

Punët që i kryen për KEDS-in janë: instalime, riparime të rrjetit, ndërrimi i trafove dhe shërbime të ngjashme.

Kjo veprimtari e Hotit – si njëri nga anëtarët e Bordit të ZRRE-së, ndonëse e jashtëligjshme nuk po bëhet fshehur.

Në hulumtimin e Shqip.com, ekipi i ‘Shënjestrës’ ka shfaqur disa nga postimet në faqen e kësaj kompanie, ku shihet qartë se qysh nga viti 2018, flitet për investimet që bëhen si të kontraktuara nga KEDS.

Në një postim i vitit 2018 – atëherë kur Hoti edhe mori pozitën e anëtarit të Bordit të ZRRE-së, kompania tregoi për punimet në nivelin e ulët të energjisë në Komunën e Kamenicës.

Një tjetër postim të vitit 2020, kompania flet për “Instalimin e kthinave primare me sistem të ri, i kaluar nga niveli 10 kV në atë 20 kV në Nënstacionin 110/20 kV Prishtina II- I, investuar nga KEDS.”

Teksa, në shkurt të këtij viti, “Electra” krenohet se prodhimet e paneleve deri në 2500A “janë të pranuara nga KEDS dhe posedojnë Type Test nga laborator i certifikuar”.

Në fund, këto punime KEDS i prezanton para bordit të ZRRE-së në planin vjetor të investimeve që më pas vetë Hoti pos të tjerëve, i miraton.

Hoti është aksionar i 33 për qind të aksioneve të kësaj kompanie që është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në vitin 2014, ndërsa vlera e këtyre akisoneve është 169 mijë e 270 euro.

Dokumentarin e plotë mund ta ndiqni këtu: