Lajme Ballkan

I merret licenca e punës kompanisë që iu dogj autobusi me njerëz në Bullgari

Aksidenti në Bullgari

Kompania “Besa Trans BTB”, autobusi i të cilës u përfshi nga flakët dhe u dogjën 46 persona në autostradën e Bullgarisë, më nuk do të ketë licencë për punë.

Ky vendim është marrë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e cila pas të dhënave zyrtare të dorëzuara nga Ministria e Punëve të Brendshme ka vërtetuar se për automjetin nuk është dhënë licencë për transportim ndërkombëtar të udhëtarëve dhe as ndonjë lloj tjetër i transportimit të udhëtarëve, shkruan Shqip.com.

“Në pajtim me nenin 12 të Ligjit për transport rrugor dhe për shkak të mungesave që janë vërtetuar nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve dhe me qëllim që të parandalohet ndonjë veprim tjetër nga firma që do të mund të nxisë pasoja negative, firmës “Besa Trans BTB” i merret licenca për punës, përkatësisht ndalesa për kryerjen e veprimtarisë”, thonë nga kjo ministri.

Autobusët e kompanisë “Besa Trans”

Ata shtojnë se po ashtu nuk është evidentuar në evidencën elektronike të licencave të dhëna për kryerjen e transportimit të brendshëm ose ndërkombëtar të udhëtarëve që e udhëheq Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Më tutje, deklarojnë se kjo ministri ka regjistruar tri automjete të licencuara të firmës “Besa Trans BTB”, ndërsa autobusi i djegur nuk është në mesin e automjeteve të regjistruar.

Nga kjo ministri po ashtu theksojnë se qeveria në mbledhjen e fundit ka obliguar Inspektoratin Shtetëror të kryej kontroll të jashtëzakonshëm në firmën “Besa Trans”./Shqip.com