Lajme

Hyseni i hapur për koalicione, ka disa kushte për bashkëqeverisje

Alban Hyseni, kryetar i komunës së Gjilanit

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka deklaruar se subjekti ku ai është pjesë, Lëvizja Vetëvendosje, është e hapur për bashkëpunime me subjekte tjera politike për të qeverisur në këtë komunë, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Hyseni ka përmendur disa parime në të cilat thotë se do të vendoset bashkëpunimi me subjekte politike.

Sipas marrëveshjes, në rast të ngritjes së aktakuzës ndaj zyrtarëve të emëruar politikisht, do të shkarkohen largohen menjëherë nga qeverisja e përbashkët.

“Qeverisjen lokale, në mandatin 4-vjeçar do ta bëjmë mbi bazën e tri vlerave kryesore: ndershmërisë, profesionalizmit dhe transparencës! Do të dakordohemi për një plan të punës, të cilin do ta zbatojmë bashkërisht. Perfomanca e dobët, në zbatim të programit është arsye e shqyrtimit, po ashtu edhe zëvendësimit të secilit zyrtar të emëruar politikisht.

Do të qeveriset duke respektuar normat ligjore pozitive të vendit, duke qenë në shërbim të qytetarëve, duke qenë shembull për respektim të rendit e rregullit, duke garantuar punë në zbatim të programit për qeverisje me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarëve të gjilanit”, thuhet ndër tjerash në pikat e marrëveshjes.

Po ashtu, si pikë e marrëveshjes për qeverisje është edhe përfaqësimi i grave mbi 40 për qind./SHQIP.com