(E përditësuar) Hoxhë Mazllami: Dhuna s’lejohet në islam, sidomos në Ramazan

Dhuna është një formë ekstreme agresioni dhe përdorimi i forcës fizike për të lënduar, abuzuar, dëmtuar ose shkatërruar, si sulmi, përdhunimi, vrasja etj.
Hoxha Mallzam Mazllami, në emisionin “Debat Plus”, ka thënë se dhuna në islam nuk lejohet e sidomos në muajin e shenjtë të myslimanëve, në Ramazan.
“Në islam nuk mund të lejohet, sidomos në agjërim, i gjithë trupi duhet të jetë agjërueshëm. Nëse më pe pak para, asaj gazetares nuk ia dhashë dorës, nuk lejohet një gjë e tillë”, ka thënë ai.
I pyetur se çfarë mendon për sulmin fizik ndaj Valon Sylës, ai tha se nuk e njeh atë dhe nuk ka dëgjuar për rastin e tij.
Gazetari Syla, u sulmua fizikisht mbrëmë nga tre persona, të cilët janë identifikuar nga Policia e Kosovës, por ende nuk janë arrestuar.
Motivet ende nuk dihen, por gazetari Syla pretendon se atë e kanë sulmuar “tre persona fanatik fetarë”.
***
Tutje, Hoxhë Mazllam Mazllami ka thënë se pasi ka pasur një darkë me miqtë për daljen e tij në pension, i kanë bërë dhuratë një veturë, e cila sipas tij është modeste.
“Pasi po iku në pension, ka qenë hedije prej shokëve miqve, të cilëve ju ka ra ndërmend të bëjnë një surprizë makinë modeste, ajo është modeste sepse është e vjetër, nuk është e re. Sikur që e kam të parën edhe ajo e dyta është makinë modeste, por dhurata është e shtrenjtë”, ka thënë ai në Debat Plus.
Sipas tij, dhurata ka qenë shprehje dashurie, prej miqve që prej shumë vjetësh i kanë ndjekur predikimin dhe ligjëratat e tij.
Makina surprizë që i është dhënë Hoxhë Mazllamit është Mercedes-Benz E-Class i vitit 2013.
Në momentin e dhurimit të veturës, prezent ishte edhe kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava.
Gazetari Valon Syla kishte bërë një video në lidhje me dhuratën ndaj Hoxhë Mazllamit, më pas ai ishte sulmuar mbrëmjen e së martës.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebook, ka pretenduar se sulmi i bërë ndaj tij mund të ketë lidhje me reagimet e tij për Hoxhë Mazllam Mazllami dhe ngjarjeve në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).
“Sulmi me çdo gjasë ka të bëjë me reagimet e mia rreth ‘Mulla Mercedesit’ dhe ngjarjeve në BIK, që duket se nuk u ka pëlqyer fare, dhe kështu ka nxitur këtë komunitet të militantëve islamikë të organizojnë sulm fizik të paramenduar”, ka shkruar ai.
Ndër të tjera, Syla ka thënë se reagimet e tij përpos që ishin të faktuara, kishin dhe doza të theksuara të humorit, e kjo sipas tij, nuk po pranohet nga komuniteti islamik.
/Shqip.com