Hoxhaj për hapjen e arkivave: Po barazohet viktima me agresorin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, deklaroi të enjten se me pajtimin e Kosovës për hapjen e akivave shtetërore të saj, “po barazohet viktima me agresorin”.
Në një postim në Facebook, ka shkruar se as në ëndrrën e tij më të keqe nuk mund ta përjetonte këtë ditë.
“As në ëndrrën time më të keqe nuk kam menduar se do ta përjetoj këtë ditë, kur Qeveria e Kosovës legjitimon gënjeshtrat e Serbisë, duke i ngjallur fantazmat serbe kinse për arkiva të UÇK-së. Kjo është barazim i viktimës me agresorin dhe krahasim i UÇK-së me ushtrinë serbe!”.
Sipas tij, gabimet e Qeverisë Kurti në politikën e jashtme janë të përmasave alarmante.
“Duke rrezikuar seriozisht trashëgiminë e luftës sonë çlirimtare dhe shtetësinë tonë”.
Pas takimit dyditor në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe atij serb, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi se janë dakorduar me palën serbe për hapjen e të gjitha arkivave, duke përfshirë edhe ato të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një deklaratë e tillë ka ngjallur reagime të shumta.
Ndërkohë, kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, Andin Hoti, tha se kjo marrëveshje është në interes të Kosovës./SHQIP.com