Hoxhaj: E mirëpres vullnetin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targa ndaj veturave të Serbisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se e mirëpret vullnetin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targa ndaj veturave të Serbisë, njofton Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj tha se në Kosovë nuk duhet të ketë dallime politike përballë agresionit të Serbisë.
“Mirëpres vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të implementuar marrëveshjet që ka prodhuar dialogu Kosovë-Serbi. Vendime të tilla duhet t’i shërbejnë përmbylljes së shtetësisë së Kosovës, jo hapjes së fushatës zgjedhore.
Është e shëndetshme për demokracinë e brendshme në Kosovë të kemi dallime politike, por jo edhe përballë agresionit të Serbisë dhe kur jemi në të drejtën tonë si shtet!”, shkroi ndër tjerash Hoxhaj.
Tutje, ai akuzoi edhe kryeministrin, Albin Kurti, për të cilin tha se në të kaluarën i kishte mohuar rezultatet e dialogut, kurse tash po i zbaton ato.
“Kryeministri Kurti që në të kaluarën ka mohuar rezultatet e dialogut, sot po zbaton marrëveshjet dhe afrimon ato! Më mirë vonë se kurrë!”, shtoi ai.
Po ashtu, Hoxhaj tha se shpreson që ky reciprocitet është koordinuar plotësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
“Shpresoj që ky reciprocitet i pjesshëm të koordinohet plotësisht me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për të prodhuar më shumë ushtrim të sovranitetit se lajme ditore!”, përfundoi ai.